Sulmi ndaj KFOR-it, serbi pranon fajësinë! Lubisha Milkoviç, dënohet me 2 vite burg dhe 14 mijë euro gjobë

Lubisha Milkoviç është dënuar me dy vite burg dhe 14 mijë euro gjobë pasi pranoi fajësinë për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë protestës së 29 majit 2023 në Zveçan. Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën në ngjarjet e asaj dite.

Shtetas serb Lubisha Milkoviç, është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në protestat e 29 majit 2023 në Zveçan.

Milkoviç pranoi fajësinë në një marrëveshje të arritur me Prokurorinë Speciale, duke u deklaruar përgjegjës për veprat penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale apo huliganizëm”.

Sipas marrëveshjes, ai dënohet me dy vite burgim efektiv, ndërsa gjashtë muaj të dënimit zëvendësohen me një gjobë prej 14 mijë eurosh.

Kohëzgjatja e paraburgimit do t’i llogaritet në afatin e dënimit. Avokati i tij deklaroi se marrëveshja është arritur me vullnet të lirë të të pandehurit pas konsultimeve të plota me mbrojtjen.

Ngjarjet e Zveçanit, që shpërthyen kur serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, përfunduan me mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it të plagosur disa prej tyre rëndë. Sulmet u dënuan gjerësisht ndërkombëtarisht.

Trupi gjykues, vlerësoi se marrëveshja është e bazuar në prova dhe e miratoi atë.

Milkoviç do të qëndrojë në paraburgim deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit.

Kjo është një prej çështjeve të para të përfunduara në lidhje me dhunën e majit 2023, e cila vijon të trajtohet si një prej episodeve më të rënda të tensioneve në veri të Kosovës.