Spiropali: Ibrahim Rugova, prijës politik e shpirtëror
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përkujtoi sot në 81-vjetorin e lindjes ish-presidentin e parë të Kosovës, Dr.Ibrahima Rugova.
Spiropali tha se “Ibrahim Rugova ishte një prijës politik e shpirtëror misionar”.
“Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet. Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme”, theksoi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
Kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se “Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie. Rugova nuk udhëhiqej nga turmat. Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës”.
“Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar. Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon. Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur”, tha Spiropali.
Dr.Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë të Istogut dhe u diplomua në gjuhë e letërsi shqipe në Prishtinë. Kreu specializim në Paris dhe doktoraturën në Prishtinë në fushën e letërsisë. Për dy dekada punoi si studiues pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, një qendër e rëndësishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav.
Hyri në politikë në vitin 1989 si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku krijoi bazat ligjore për pavarësinë e vendit. U zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në 1992 dhe rizgjodh në 1998.
Pas luftës së vitit 1999 u kthye nga Roma për të ndihmuar në ngritjen e institucioneve. U zgjodh President i Republikës së Kosovës në 2002 dhe u rizgjodh në 2004, duke ushtruar detyrën deri më 21 janar 2006, kur u nda nga jeta.
