SHBA pezullon lejen për rafinerinë me pronarë rusë, Vuçiç: Do të jetë një katastrofë për Serbinë
Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesën e Serbisë për të vijuar funksionimin e rafinerisë së naftës në Pançevo, e cila është në pronësi ruse dhe bie ndesh me sanksionet amerikane.
Vendimi pritet të krijojë probleme serioze për furnizimin me naftë në vend. Presidenti Aleksandar Vuçiç reagoi ashpër, duke theksuar se situata është “katastrofike” për ekonominë serbe.
Sipas tij, administrata amerikane nuk ka miratuar kërkesën e Beogradit për furnizime të mëtejshme me naftë bruto për rafinerinë, në një kohë kur kompanitë ruse po kërkojnë të shesin pjesën më të madhe të aksioneve në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS).
“Prisnim të merrnim lejen nga qeveria amerikane, por nuk ndodhi. Jam i zhgënjyer dhe i habitur, pasi nuk kuptoj çfarë përfitojnë ata nga kjo,” u shpreh Vuçiç.
Ai shtoi se Rusia nuk ka ndërmend të shesë kompaninë dhe se situata është më shumë politike sesa financiare.
Sipas presidentit serb, Zyra Amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) nuk ka dhënë asnjë sinjal se mund të rishikojë vendimin.
Qeveria serbe ka urdhëruar ndërkohë pezullimin e operacioneve të rafinerisë për 54 ditë nga hyrja në fuqi e sanksioneve.
Banka Kombëtare e Serbisë dhe bankat tregtare rrezikojnë sanksione dytësore nga SHBA nëse kryejnë transaksione me Industrinë e Naftës së Serbisë.
“Kjo do të ishte një katastrofë për investimet dhe për gjithë ekonominë,” paralajmëroi Vuçiç.

