UKË RUGOVA RIKTHEHET SOT/ Djali i ish-Presidentit Rugova hyn në listën e LDK-së

Në ditëlindjen e 81-të të Presidentit historik Ibrahim Rugova, djali i tij, Ukë Rugova, zyrtarisht i bashkohet listës zgjedhore të LDK-së. Vendimi u konfirmua nga kryetari, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës te familja Rugova. Liderët e Kosovës dhe krerët e shtëtit dhe të politikës në shqipëri kanë kujtuan sot trashëgiminë dhe vizionin e Rugovës për shtetin euroatlantik.

Në 81-vjetorin e lindjes së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, djali i tij, Ukë Rugova, i bashkohet listës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë që themeloi dhe drejtoi i ati.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se kërkesa e familjes Rugova për përfshirjen e Ukës në garën zgjedhore u pranua pikërisht, në ditëlindjen e Presidentit Rugova. Ai e quajti këtë “nderim të madh” dhe “vijim të rrugës politike të themeleve të shtetit të Kosovës”.

Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë dhe prijësi i rrugës politike paqësore të Kosovës, u kujtua nga të gjithë krerët institucionalë të vendit. Presidentja Vjosa Osmani e quajti Rugovën “udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë” dhe “zë të arsyes në kohë të errëta”. Për të, trashëgimia e tij mbetet themeli moral i orientimit euroatlantik të Kosovës.

Edhe nga Tirana erdhën mesazhe të forta përkujtimore, duke e cilësuar Rugovën si “figurë profetike”, lider që nuk ngrinte zërin, por udhëhiqte me qetësi dhe urtësi, duke e parë Kosovën dhe Rugovën si dy realitete të pandara në sytë e botës së qytetëruar.

Në një ditë simbolike si kjo, bashkimi i Ukë Rugovës me listën e LDK-së shihet si rikthim i një trashëgimie politike, po aq sa edhe një mesazh për vazhdimësinë e projektit të Presidentit historik.

Në 81-vjetorin e lindjes së tij, Rugova vazhdon të mbetet jo vetëm figurë historike, por pikë referimi politike e shpirtërore për shumë qytetarë dhe aktorë publikë.

Ndërsa djali i tij hyn në garën politike, emri Rugova rikthehet në qendër të zhvillimeve të sotme në Kosovë.