PAMJET/ Funari destinacion turistik, park i ri aventurash dhe shtigje të shënjuara drejt kanioneve të Dopajit

Në Funar, 20 km në veri të qytetit të Elbasanit, do të zbatohet projekti “Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, duke e kthyer atë në një nga destinacionet e aventurës dhe natyrës në Shqipëri në vitin 2026.

Ky projekt realizohet falë bashkëpunimit ndërkufitar dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes programit IPA III CBC, që synon zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale në partneritet me bashkinë e Krushevës në Maqedoninë e Veriut.

Në këtë projekt parashikohet krijimi i një parku të ri aventurash dhe shtigjeve të shënjuara drejt kanioneve të Dopajit, organizimi i trajnimeve për sipërmarrësit lokalë në turizëm të qëndrueshëm dhe ekonomi qarkulluese si dhe promovimi i Funarit si destinacion i turizmit të aventurës në rajon, përmes aktiviteteve gjithë vitit 2026.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha sot për ATSH-në se “ky projekt vijon transformimin e Funarit si destinacion i turizmit malor dhe aventurës, pas investimeve të mëparshme të IPA II CBC, të cilat përfshinin ndërtimin e Infopoint-it dhe pistës së parashutizmit”.

PAMJET/ Funari destinacion turistik, park i ri aventurash dhe shtigje të

“Me këto investime të reja dhe përfshirjen në Paketën e Maleve, Funari pritet të ketë një rol të veçantë në zhvillimin e turizmit të aventurës në Shqipëri, duke sjellë më shumë vizitorë, zhvillim ekonomik dhe mundësi për komunitetin lokal në vitin 2026”, tha Llatja.

Kryebashkiaku Llatja u shpreh se “synojmë që Funari të zhvillohet si një hapësirë e pastër, mikpritëse dhe plot mundësi për qytetarët dhe vizitorët”.

Funari, me pyjet e pasura dhe liqenet e tij natyrale dhe ujëmbledhësit, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turizmin rural, kulturor dhe sportet në natyrë.

Fshati turistik i Funarit është një nga katër zonat e shpallura prioritare për zhvillim nga këshilli bashkiak i Elbasanit, së bashku me Gjinarin, Treganin dhe Shushicën. Këto zona përbëjnë një potencial të rëndësishëm ekonomik, turistik dhe mjedisor për qytetin dhe rajonin.

PAMJET/ Funari destinacion turistik, park i ri aventurash dhe shtigje të

Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si  parashutizmi, kajakë në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore./ATSH