DREJT BE, Këshilltari i ministrit të Bujqësisë, Tarelli: Është momenti për ta transformuar këtë sektor
Shqipëria ka hapur tashmë të gjithë grup-kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian, duke hyrë në fazën më sfiduese: përmbushjen e plotë të standardeve.
Në një intervistë me Katerina Hysenllari në Ora News, Keshilltari i Ministrit të Bujqësisë, z. Irfan Tarelli, shpjegon se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar në praktikë se bujqësia shqiptare mund të transformohet dhe të funksionojë më së miri sipas modeleve dhe kërkesave të BE-së.
Tarelli: “Dua ta shikoj këtë fazë jo vetëm si një sfidë përpara sektorit, përpara të gjithë punonjësve të bujqësisë duke pasur parasysh këtu fermerët, agrobiznesin dhe të gjitha strukturat që lidhen me të, duke kulmuar me Ministrinë e Bujqësisë por si një mundësi të jashtëzakonshme për ta transformuar sektorin në një sektor shumë të zhvilluar, modern dhe dobiprurës, në radhë të parë për fermerët, agrobiznesin dhe ekonominë e vendit.”
Për të kuptuar sfidat, z. Tarelli thekson se duhet të kemi të qarta objektivat e veë Kapitullit 11 të Politikës së Përbashkët Bujqësore.
Tarelli: “Ato kanë të bëjnë me sigurimin e të ardhurave të drejta për fermerët, që nënkupton një bujqësi të qëndrueshme, një sektor konkurrues, një pozicion të favorshëm të fermerëve në zinxhirin agro-ushqimor, mbrojtjen e mjedisit, peizazhit, biodiversitetit, ushqimit të sigurt dhe cilësor; një sektor që vë në qendër njohuritë, inovacionin e kështu me radhë.
Në këtë këndvështrim bëjmë krahasimin me gjendjen aktuale të sektorit dhe instrumentet që duhet të përdorim për ta përafruar në një shkallë sa më të lartë, ose për ta transformuar bujqësinë e vendit.”
Tarelli: “Për të kuptuar më drejtpërdrejt sfidat, ato lidhen me përafrimin e legjislacionit, shumë kompleks dhe jo vetëm përgatitjen, por edhe zbatimin praktik të tij.
Këtu fenomeni është masiv: Shqipëria ka një numër shumë të madh fermerësh me ferma të vogla dhe të fragmentuara, dhe secila prej tyre duhet të zbatojë standarde të caktuara, praktika të mira bujqësore, mjedisore e të tjera”.
Për shkak të kompleksitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Bujqësore thotë se ky proces është i ndërlikuar, por megjithatë i arritshëm.
Tarelli: “Anëtarësimi në Bashkimin Europian bën të mundur që fondet të përdoren edhe nga fermerët dhe sektori bujqësor në përgjithësi.
Kjo është një sfidë e vështirë, sepse fondet europiane kushtëzohen me përmbushjen e disa standardeve.
Pra, përveç përgatitjes dhe informimit të fermerëve, është e rëndësishme të veprohet në nivel ferme, sepse ato shërbejnë si instrument për realizimin e objektivave të Politikës së Përbashkët Bujqësore.
E thënë ndryshe: duhet të përgatisim fermerët, të forcojmë institucionet tona, ku më kryesorja është Agjencia e Pagesave, instrumenti për lëvrimin e këtyre fondeve.
Kjo e fundit akreditohet sipas kritereve të paracaktuara nga strukturat e BE-së. Qoftë në aspektin e reagimit të fermerëve, qoftë në atë institucional, kemi sfida përpara.”
