Shtyhet seanca parapake ndaj ish-presidentit Meta në GJKKO, e radhës pritet të mbahet në këtë datë
Gjykata e Posaçme ka vendosur që seanca paraprake ndaj ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, të shtyhet për më 5 dhjetor. Meta u soll këtë mëngjes para GJKKO-s, pasi la përkohësisht qelinë për të marrë pjesë në seancën e parashikuar për shqyrtimin e dosjes penale ndaj tij.
Para nisjes së procesit, avokati mbrojtës, Kujtim Cakrani, deklaroi për mediat se “sot nis përballja me regjimin e Ramës”, duke e konsideruar çështjen si një betejë politike dhe juridike.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.
