Favore në këmbim të votës, GJKKO shpall fajtor zyrtarin e ASHK-së Dritan Stoka dhe kryeplakun Agim Osma
Gjykata e Posaçme ka deklaruar të fajshëm Dritan Stokën, zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së dhe Agim Osma, kryeplak i Lagjes së Re, Sauk Tiranë për "ushtrim ndikimi të paligjshëm" dhe "korrupsion në zgjedhje", vepra të konsumuara në vitin 2019.
Sipas SPAK, ata kanë kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të zgjedhësve duke i detyruar për të votuar ose duke përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta; qëndrimin në punë apo edhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut Tiranë.
Kujtojmë se opozita ka deklaruar shpesh se në zgjedhjet e 11 majit, eksponentë të mazhorancës kanë përdorur para publike dhe burime shtetërore, për të marrë votat e qytetarëve.
Njoftimi:
Me vendimin nr. 76, datë 26.11.2025, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, deklaroi fajtor të pandehurit Stoka dhe Osma për të dy veprat penale, duke i dënuar secilin fillimisht me nga 3 vite burg, ndërsa pas uljes së 1/3 të dënimit për gjykim të shkurtuar, Stoka do të vuajë 2 vite burg në një institucion të sigurisë së zakonshme, ndërsa Osma u dënua përfundimisht me 2 vite, por me pezullim të pjesës së mbetur të dënimit dhe vendosje në provë për 24 muaj.
Sipas SPAK, të pandehurit dyshohej se kishin kërkuar nga qytetarë të ndryshëm hartimin e listave të zgjedhësve dhe ndikimin në mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta si mbajtja në punë apo pajisja me leje legalizimi në zonën e Saukut, në Tiranë.
