''Faik Konica'' feston kuqezi/ Koncerti me moton “Ti Shqipëri, më jep nder” emocionon nxënës e prindër
Shkolla “Faik Konica” në Tiranë kremtoi festat e 28–29 Nëntorit me një koncert artistik ku nxënësit përcollën këngë, valle dhe momente historike.
Aktiviteti solli emocion dhe krenari, duke u shndërruar në një shembull bashkëpunimi të komunitetit shkollor.
Shkolla Jo Publike “Faik Konica”, në Tiranë, kremtoi me një festë të veçantë përvjetorin e Pavarësisë dhe Çlirimit.
Koncerti festiv nën moton “Ti Shqipëri, më jep nder” bëri bashkë nxënës, prindër e mësues, duke krijuar një atmosferë solemniteti, gëzimi, por edhe krenarie.
Programi artistik përfshinte recitime, këngë e valle, por edhe inskenime të momenteve të rëndësishme të historisë së vendit, si dëshmi e përkrahjes dhe zhvillimit të talenteve të nxënësve të Shkollës “Faik Konica” në rrugën e bukur të dijes.
Flamuri dhe historia i bëjnë krenarë, siç dëshmon kjo nxënëse që u përlot.
Për nxënësit e Shkollës Jo Publike “Faik Konica” nuk ishte vetëm një ditë feste, por një dëshmi se po përgatiten si qytetarë të denjë.
Mësuesja e baletit, Elvira Danç, organizatore e programit artistik të Shkollës “Faik Konica”, shprehu kënaqësinë për suksesin e koncertit festiv që bëri krenar nxënësit dhe familjarët e tyre.
Kremtimi i festave të 28–29 Nëntorit në Shkollën “Faik Konica” u shndërrua kështu në një moment të rëndësishëm reflektimi dhe mirënjohjeje, por edhe një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të komunitetit shkollor.
