Operacioni i RENEAS në Fushë Arrëz/ Thërriti 'Allahu Ekber', del FOTOJA e një prej të ngujuarve me prirje radikale
Ora News ka siguruar fotografinë e Erzen alias Hamzah Uka, një prej dy personave që u dorëzuan pas orësh të tëra ngujimi dhe tensioni në Orosh, Pukë.
Dy të dyshuarit u dorëzuan në polici pas një operacioni intensiv të RENEA-s, pasi për disa orë kishin refuzuar t’i përgjigjeshin thirrjeve të forcave të rendit, duke qëndruar të mbyllur në një banesë.
RENEA kishte rrethuar zonën dhe kishte angazhuar negociatorë, ndërsa të ngujuarit dyshohej se kishin lidhje me aktivitet radikal dhe elementë të terrorizmit.
Gjatë komunikimit me policinë, njëri prej tyre është dëgjuar të thërrasë “Allahu Ekber”, çka e përshkallëzoi situatën dhe ngriti rrezikun për një përplasje të armatosur.
Shtëpia ku ata ishin ngujuar është në pronësi të Mehill Çumrakut. Personat e arrestuar janë identifikuar si Julian Çumraku, 34 vjeç, dhe Erzen alias Hamzah Uka.
Fatmirësisht, operacioni përfundoi pa viktima, dhe të dy personat janë tashmë në duart e policisë.

