VIDEO/ Vidhnin rroba në Greqi dhe i shisnin në Shqipëri, kush ishte ‘koka’ e grupit! Zbardhet skema

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga goditja e grupit kriminalqë vidhte veshje nga dyqane në Athinë dhe më pas i kontrabandonte dhe i shiste në Tiranë.

Sipas mediave të huaja organizata kriminale ishte e ndarë në dy grupe, një skuadër në Greqi që kryente vjedhjet në dyqane, dhe një tjetër në Shqipëri që merrej me importin dhe shitjen e mallrave.

Liderja e grupit është identifikuar si Oliota Lama, 54 vjeçe, ndërsa disa anëtarë të tjerë emrat e të cilëve nuk janë bërë publik ishin pjesë e familjes së saj.

Veshjet e vjedhura ruheshin fillimisht në magazina pranë Athinës (zona e Petralonës), ku grupi hiqte etiketat e sigurisë me pajisje speciale dhe më pas malli transportohej me autobus drejt Tiranës.

Në Shqipëri, grupi menaxhonte një dyqan rrobash në Tiranë ku sillte veshjet e vjedhura dhe i reklamonte në rrjete sociale për shitje. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 8 persona dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Gjatë aksionit policor u sekuestruan:

Rreth 71,420 euro cash

Sasi e konsiderueshme veshjesh të vjedhura

Pajisje elektronike dhe telefona celularë

Magnetë anti-vjedhje dhe pajisje për heqjen e etiketimeve të sigurisë.

Kundër të arrestuarve është ngritur padi për “themelim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale”, vjedhje me bashkëpunim, pastrim parash dhe shpërndarje të fitimeve kriminale.