Shkupi në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, protestë para datës 22 dhjetor
Në Shkup të Maqedonisë së Veriut do të protestohet para datës 22 dhjetor, në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kështu u bë e ditur nga kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.
Protesta do të mbahet para përmbylljes së procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka thënë kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
“Ne jemi koordinuar që bashkërisht ta bëjmë një protestë në Shkup në muajin dhjetor. Kjo ka qenë sot takimi jonë me kryetarin e partisë, apo me ish-komandantin që e patëm ën takim, ne u dakorduam që në muajin dhjetor, para datës 22 dhjetor të mbahet protesta në Shkup, me vëllezërit tanë atje dhe kjo është protesta e gjashtë e radhës që mbahet. Ne e kemi marrë si obligim dhe detyrim i joni nga këshilli drejtues dhe kryesia e ngushtë që të mbajmë këto protesta në Prishtinë, Tiranë, Hagë, Strasburg dhe protesta përmbyllëse është në Maqedoni, pikërisht në Shkupin e shqiptarëve”, deklaroi Gucati.
Pas takimit me krerët e OVL-UÇK-së, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se edhe shqiptarët nga Maqedonia e Veriut e kanë obligim moral që të protestojnë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Delikate e ka konsideruar Ahmeti çështjen e veteranëve të cilët do të marrin pjesë në këtë protestë, teksa u pyet se si do të sigurohen të njëjtit që nuk do të arrestohen sapo të kalojnë kufirin në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati tha se ata që nuk e ndjejnë vetën të sigurt të mos marrin pjesë në protestë.
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dielën kanë protestuar para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.
Një tjetër protestë e madhe është mbajtur më 17 tetor në Tiranë me kërkesën për drejtësi për ish-eprorët e UÇK-së.
Një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, është mbajtur edhe protesta në Hagë, në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota./KosovaPress/

