SPAK i refuzoi lejen Veliajt, përgënjeshtron avokatët e kryebashkiakut: S'ka asnjë kërkesë nga përfaqësues të Autoriteteve lokale rajonale për takim

SPAK ka reaguar pas vendimit që mori për të refuzuar kërkesën e misionit monitorues të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës për të zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Me anë të një njoftimi, SPAK sqaron se misioni monitorues i Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës nuk ka bërë një kërkesë për të takuar Erion Veliajn në qeli, por është vetë Veliaj ai që ka kërkuar takim.

Sqarimi për mediat

Në përgjigje të kërkesave tuaja- Në datën 11.11.2025, përmes një kërkesë dërguar Prokurorisë së Posaçme, i pandehuri Erion Veliaj ka kërkuar lejimin e një takimi zyrtar me përfaqësues të Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës gjatë vizitës së tyre në Shqipëri, pa specifikuar emrat e tyre.

Prokuroria e Posaçme e ka refuzuar kërkesën e tij më datë 18.11.2025, duke e mbështetur në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” (nenet 49 pika 1 dhe 73 pika 1 dhe 2) dhe VKM nr. 209/2022.

Sjellim në vëmendjen tuaj, përkundër raportimeve në media, se në Prokurorinë e Posaçme nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga përfaqësuesit e Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.