"Të respektohet prezumimi i pafajësisë"/ Malaj: SPAK, pjesa më efektive në luftën kundër krimit dhe korrupsionit! Shkarkimet e zyrtarëve në hetim i vlerëson kryeministri!

Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka komentuar në një intervistë te “Panorama” hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë, duke theksuar se çdo akuzë apo procedim ndaj anëtarëve të qeverisë ka efekt të menjëhershëm në perceptimin publik.

Sipas tij, këto çështje krijojnë tronditje politike, por përmasat e pasojave vlerësohen nga kryeministri dhe vetë personi i përfshirë.

Malaj e cilëson debatin si një proces paralel etik, publik dhe politik.

Nga këndvështrimi institucional, ai nënvizon se vendimet për zyrtarët që janë nën hetim i takojnë kryeministrit.

Në planin etik, vendimi për të dhënë dorëheqjen mbetet çështje personale dhe individuale.

Ai kujton se në vende me kulturë të konsoliduar shtetformuese dhe institucione realisht të pavarura, hetimet ndaj politikanëve zhvillohen pa masa ekstreme si arresti me burg, duke trajtuar zyrtarët njësoj si qytetarët e zakonshëm.

Në analizën e tij Malaj nënvizon një element themelor të shtetit ligjor: Respektimin e prezumimit të pafajësisë, parim që sipas tij duhet të garantohet pa asnjë lëkundje në çdo fazë të hetimit.

Sipas ish-ministrit, rishikimi i Kodit Penal përbën një moment të rëndësishëm për të korrigjuar kuadrin aktual ligjor dhe për ta afruar atë me standardet më të mira demokratike, duke forcuar balancën midis drejtësisë, etikës publike dhe respektimit të të drejtave themelore. 

PJESE NGA INTERVISTA

Si ndikon qëndrimi i ministres Balluku në detyrë gjatë hetimeve ndaj besimit publik dhe transparencës së qeverisjes?

Në parim çdo akuzë apo hetim i anëtarëve të qeverisë dhe politikanëve në përgjithësi ka një ndikim jo pozitiv në publik. Por përmasat e pasojave shoqërore dhe politike i vlerëson kryeministri dhe vetë personi. Ky debat është etik, publik dhe politik. Në aspektin publik dhe politik, vendimmarrjet ndaj qeveritarëve në hetim i ka kryeministri i vendit. Në aspektin etik, vendimi për të dhënë apo jo dorëheqjen është individual. Eksperiencat e vendeve të tjera me kulturë më të gjatë shtetformuese dhe institucione realisht të pavarura aplikojnë hetimin jo me arrest me burg për politikanët dhe njëkohësisht edhe për qytetarët e tyre. Rishikimi i Kodit Penal është një moment shumë i mirë dhe i rëndësishëm për të përmirësuar kuadrin ligjor drejt respektimit te parimit themelore të prezumimit të pafajësisë.

Çfarë masash do të ishin të duhura për të garantuar llogaridhënie dhe respektimin e ligjit?

Parandalimi është ilaçi më i mirë. Parimet themelore të mirëqeverisjes, ku bëjnë pjesë rritja e transparencës në çdo hallkë dhe në çdo fazë të mbledhjes së të ardhurave dhe shpenzimit sa më efektiv të tyre është jetike për të krijuar premisë parandaluese kundër korrupsionit. Kjo kërkon respektimin me rigorozitet të të gjitha ligjeve, ndarjen e pushteteve midis niveleve politike dhe administrative. Hetimi i rasteve të shkeljeve ligjore, të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës duhet të jetë sa më i shpejtë, sa më i plotë dhe i paanshëm.

Si e vlerësoni punën e SPAK? A mendoni se po godet korrupsionin me të njëjtat standarde për të gjithë aktorët politikë?

Shpresoj se SPAK-u është pjesa më efektive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Natyrshëm, shpresat e mëdha dhe arritjet konkrete kanë ndikimin e tyre në perceptimin publik dhe ushqejnë qëndrime kritike dhe akuza të rënda publike. Besoj se prokurorët dhe gjyqtarët e BKH-së dhe SPAK-ut kanë në qendër të punës së tyre profesionalizmin, integritetin, por edhe kurajën. SPAK ka mbështetjen e të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Kudo për këto struktura edhe në vendet e reja të BE-së, pasi bëhen funksionale dhe fillojnë të prekin edhe “të paprekshmit” e të krimit të organizuar dhe korrupsionit – si shqetësim i madh për vendet e tyre – ato atakohen shpesh publikisht dhe jo pak edhe politikisht.

Gjykata Kushtetuese riktheu Erion Veliajn në detyrë. Ky vendim, sipas jush, i shërben interesit publik apo politikës?

Vendimet që merr Gjykata Kushtetuese kanë gjithmonë një interes publik. Interesi publik është si në rastet specifike, ashtu edhe në rritjen e besimit publik ndaj institucioneve kushtetuese të vendit, që duhet të jenë kolonat garantuese të funksionimit të shtetit ligjor. Ky vendim ka rëndësi politike në respektimin e parimeve të ndarjes së pushteteve, decentralizimit, të prezumimit të pafajësisë dhe aq më tepër në sfidat e integrimit europian të vendit.

Çfarë mesazhi iu jep qytetarëve fakti që një drejtues i Bashkisë së Tiranës, që ka pasur akuza ose dyshime për shkelje, mund të kthehet në detyrë?

Mesazhi që percepton publiku është i miks. Nga njëra anë, rikthimi detyrë i një drejtuesi të zgjedhur nga qytetarët me një vendim të Gjykatës Kushtetuese konfirmon rëndësinë e institucioneve dhe të respektimit të procedurave ligjore. Nga ana tjetër, për sa kohë hetimet janë ende në proces, ky rikthim ngre dilema mbi standardet e qeverisjes dhe transparencës, të cilat janë thelbësore për forcimin e besimit publik. Për fat të keq, në një klimë të polarizuar politike, çdo vendim i tillë lexohet jo vetëm institucionalisht, por edhe politikisht. Pikërisht për këtë arsye na duhet një sistem transparence maksimale, një sistem më i fortë llogaridhënieje dhe një kulturë politike më e matur.

A shihni këtu një precedent të rrezikshëm për pavarësinë e institucioneve dhe kontrollin e ligjshmërisë së aktorëve politikë?

Rreziku ekziston sa herë që vendimet gjyqësore interpretohen ose keqpërdoren politikisht. Precedenti i rrezikshëm nuk është fakti që një drejtues rikthehet në detyrë pas një vendimi gjyqësor, kjo është normale në çdo shtet ligjor. Problemi lind kur sistemi politik tenton ta përdorë këtë si argument për të relativizuar përgjegjësitë, për të ushtruar presion ndaj institucioneve të drejtësisë ose për të dërguar sinjale të gabuara tek administrata publike. Pavarësia e institucioneve nuk mbrohet vetëm me ligje, por me sjellje politike të përgjegjshme. Nëse aktorët politikë i respektojnë kufijtë e tyre kushtetues dhe ndajnë qartësisht përgjegjësitë, atëherë vendime të tilla nuk rrezikojnë sistemin. Rënia e besimit publik ndaj institucioneve kushtetuese dhe politikës në tërësi e bënë më të vështirë qeverisjen e vendit.

/Gazeta Panorama