VIDEO/ Deputeti i PD-së inspekton zonat e dëmtuara nga reshjet në Mirditë: Kërkoj ndërhyrje urgjente nga qeveria
Deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, ka vizituar sot nga afër zonat më të prekura nga reshjet e dendura të shiut në Bashkinë e Mirditës.
Për shkak të prurjeve të mëdha dhe dëmtimeve të infrastrukturës, rreth 10 fshatra në njësitë administrative Fan, Orosh, Selitë, Kaçinar dhe Rrëshen vijojnë të mbeten të izoluar.
Sipas Gjonit, shembja e urave dhe rrugëve ka krijuar një situatë të rëndë për banorët, ndërsa dëmet infrastrukturore “tejkalojnë mundësitë financiare dhe teknike të bashkisë për t’u përballuar e vetme”.
Deputeti kritikoi gjithashtu institucionet shtetërore për mungesë reagimi, duke e cilësuar këtë situatë “të pajustifikueshme”, pasi sipas tij, vonesat po e rëndojnë më tej jetën e komuniteteve të prekura.
Gjoni deklaroi se do të kërkojë që në buxhetin e vitit 2026 të parashikohen fonde të posaçme për rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në Mirditë dhe në të gjithë Qarkun e Lezhës.
“Ky është një detyrim ndaj komuniteteve që po vuajnë pasojat e mosinvestimeve të gjata dhe mungesës së vëmendjes institucionale,” u shpreh ai.

