Helmimi i kafshëve ndez protestën në Tiranë: Krim që kërkon drejtësi

Qindra qytetarë u mblodhën këtë të enjte në sheshin “Skënderbej” për të protestuar kundër rasteve të përsëritura të helmimit të kafshëve në rrugët e kryeqytetit dhe më gjerë.

Një fenomen i cili ka ndezur debate në rrjetet sociale dhe ka shtuar ankthin tek kafshdashësit, që nuk ndihen më të sigurt teksa shëtisin “miqtë” e tyre besnikë.

Protesta, e organizuar përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve publike në media, nisi rreth orës 11:00 pranë bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe zgjati gati dy orë.

Mes pjesëmarrësve ishin aktivistë, vullnetarë, kafshdashës, sipërmarrës, të huaj dhe figura të njohura të jetës publike.

Protestuesja Enxhi Pepa rrëfeu se dy qenushat e saj u helmuan në zonën e digës së Liqenit Artificial, por arritën të mbijetojnë.

“Ishte e tmerrshme. Njëri prej tyre pati krizë të rëndë dhe qëndruam me turne në spital për një javë.

Aty luajnë edhe fëmijët çdo ditë — edhe ata mund të rrezikohen.

Ky akt mund të konsiderohet edhe si akt terrorist”, u shpreh ajo.

Një vullnetare që kujdeset për dhjetëra mace dhe qen të rrugës tregoi se javët e fundit shumë prej tyre janë gjetur të helmuar ose janë zhdukur. “Helmimet po ndodhin në masë”, tha ajo.

Një qytetare tjetër nënvizoi se pronarët e kafshëve po jetojnë me ankth gjatë shëtitjeve.

“Kemi frikë nga helmimet. Po na streson ne dhe kafshët tona. Janë pjesë e familjes, me gjithë dashurinë që japin”, tha ajo.

Një djalosh i ri tregoi se qeni i tij Shiba, pesë vjeç, u helmua para disa javësh. “Arritëm ta shpëtonim, por ishte një nga ditët më të këqija të jetës.

S’mund ta imagjinoj çfarë ndodh me kafshët endacake. Madhështia e një vendi duket nga mënyra si trajton kafshët, dhe këtu kemi dështuar”, u shpreh ai.

Një tjetër protestuese përmendi se ka njohur raste helmimi edhe te kafshët që takonte çdo ditë gjatë shëtitjeve, përfshirë rastin e njohur të qenushit “Pikaso”.

Juristja Adriana Kalaja deklaroi gjatë fjalës së saj se çështja do të ndiqet ligjërisht brenda dhe jashtë vendit.

“Personat që helmojnë kafshët janë kriminelë po aq sa ata që vrasin njerëz. Një qen, nëse e ushqen dhe e përkëdhel, të qëndron besnik gjithë jetën — me njerëzit nuk ndodh gjithmonë kështu”, u shpreh ajo, duke shtuar se rasti do t’i shkojë të gjitha instancave të drejtësisë, “edhe në Strasburg, nëse do të jetë e nevojshme”.

Gazetarja britanike Alice Taylor u bëri thirrje institucioneve të ndërhyjnë menjëherë, duke theksuar se mbrojtja e kafshëve është pjesë e standardeve evropiane.

“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Jetoj këtu prej vitesh dhe më vjen keq që duhet të dal në protestë për një çështje të tillë. Në BE, respekti ndaj kafshëve është i barasvlefshëm me respektin ndaj njerëzve”, tha Taylor.

Pas fjalimeve, pjesëmarrësit marshuan drejt Bashkisë së Tiranës, ku kërkuan transparencë mbi funksionimin e strehëzës së kafshëve dhe ngritën akuza për keqmenaxhim.

Protesta pritet të pasohet nga një tjetër tubim pranë strehëzës së Bashkisë në ditët në vijim. Protestuesit kërkojnë reagim të institucioneve dhe hetim të plotë të rasteve të fundit të helmimeve.