NAMI me shitje dr*ge në shkollat e Durrësit, policia arrestohen 11 persona
Një aksion policor, është duke u kryer në qytetin e Durrësit, duke çuar në arrestimin e rreth mbi 11 personave që kryenin tregtimin e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të qytetit si dhe në disa gjimnaze.
Shpërndarja e drogërave dhe pilulave të ndryshme është kthyer në një shqetësim serioz për qytetin bregdetar, ku persona të ndryshëm kanë ngritur një rrjet të gjerë shpërndarësish droge.
Gazetari Elton Qyno, i syri.net ka mësuar se përmes disa veprimeve hetimore dhe infiltrimit të agjentëve policor, është bërë e mundur të provohen dhjetëra raste të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Problemi kishte shkuar deri në dyert e gjimnazeve të Durrësit, ku shpërndarësit tregtonin lëndën narkotike në zonat shkollore.
Aktualisht forcat operacionale të policisë së Durrësit janë duke kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Durrësit, ku deri në këtë fazë në pranga kanë rënë rreth 11 persona si dhe janë sekuestruar një sasi kokainë, hashash dhe vlera monetare.
Fenomeni i tregtimit të drogërave tek të rinjtë ka gjetur zgjerim në thuajse të gjithë qytetet e vendit, ku pavarësisht goditjes së disa grupeve nga ana e policisë dhe prokurorive të rretheve, sërish situata mbetet problematike për shkak të numrit të madh të konsumatorëve. /Syri.net/

