“21 JANARI”/ Berisha në SPAK, “rrëfen” për herë të parë “mëkatet” e pushtetit
Për herë të parë, që kur SPAK mori në dorë dosjen për krimin shtetëror të 21 janarit, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurori për të dhënë llogari për ngjarjen e rëndë të 21 janarit të vitit 2011, ku 4 protestues u vranë në bulevardin para Kryeministrisë.
Ish-kryeministri, u paraqit në ambientet e SPAK në orën 09:00.
SPAK i dërgoi dy fletëthirrje në datat 3 dhe 7 nëntor. Pas refuzimit të së parës, SPAK ia dorëzoi të dytën në tre adresa (banesë, selinë e PD dhe Kuvend), por sërish nuk pranoi asnjërën. Të tretës nuk iu shmang dot pasi iu la në dorë nga SPAK, kur Berisha shkoi të hënën atje për aferën "Partizani".
Në fillim u caktua e premtja, por më pas u la për të mërkurën pas pretendimit të Berishës se në atë ditë do të ishte jashtë vendit.
Ditën e djeshme Berisha deklaroi se do të paraqitej në Prokurori.
Më herët, për “21 janarin” është thirrur për të dhënë dëshminë e tij edhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Thirrja e Berishës vjen rreth 1 vit e gjysmë që kur SPAK mori në dorë dosjen për 4 vrasjet e protestuesve.
Dosja 21 janari
SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje.
Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, pas vendimit të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë.
Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

