Shqipëria nën 'pushtetin' e ujit/ Prani uji në banesa dhe mungesë energjie elektrike në shumë fshatra

Stabilizohet situata në disa zona, banorët përballen me dëmet

Shirat e forta dhe stuhia e ditës së martë ka shkaktuar një sërë përmbytjesh dhe problematikash në të gjithë territorin e vendit.

Shumë shtëpi janë nën pushtetin e ujit, me disa familje të evakuara, ndërsa shumë zona kanë raportuar mungesë të energjisë elektrike.

Vazhdon të jetë problematike situata në disa zona të vendit, por ndryshe nga mëngjesi, kalimi i mesditës ka bërë që situata në shumicën e qarqeve të paraqitet e stabilizuar.

Edhe pse në disa zona rreshjet e forta kanë ndaluar, banorët në zona si Burreli janë duke u përballur me dëmet dhe pasojat e stuhisë në mëngjes.

Nga ana tjetër, në bashkinë Dibër raportohet mungesë e energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë si dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën.

Grupet e OSHEE po punojnë për riparimit e defekteve.

Në Sukth janë prekur disa banesa në fshatrat Kullë, Hamallë dhe Rrushkull, ku ka edhe rrugë të bllokuara.

Në Manzë raportohen rreth 48 shtëpi me prani uji.

Në bashkinë Krujë, në Thumanë, Borizanë dhe Mazhë po punohet për hapjen e kanaleve dhe zhbllokimin e rrugëve, ndërsa në lumin e Drojës po forcohet argjinatura për të shmangur daljen nga shtrati.

Niveli i ujit ka nisur të bjerë.

Në bashkinë Kurbin vijojnë ndërhyrjet për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Mamurras, ku raportohen 50 banesa me prezencë uji dhe 12 të tjera në njësinë Milot.

Po punojnë strukturat e bashkisë dhe mjetet e Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Në bashkinë Mirditë ka ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të njësisë Rubik.

Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat janë brenda kuotave.

Në disa akse rrugore ka pasur rënie inertesh, ndaj kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin.

Në zona të thella malore ka mungesë energjie, dhe ekipet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e furnizimit.

Në Qarkun Shkodër nuk raportohen problematika. Vijojnë punimet në kanalin e Gurit të Zi dhe në segmentin pranë urës së Dajçit për garantimin e qarkullimit të ujërave.

Në zonën e “Harkut të Berdicës” po kryhet pastrim i depozitimeve që pengojnë rrjedhën.

Në Korçë po punohet për rikthimin e energjisë në disa njësi, ndërsa në qarqet e tjera si: Gjirokastër, Vlorë, Fier, Elbasan, Berat, Tiranë nuk raportohen problematika nga reshjet.