Reshje intensive në basenin e Drinit, KESH monitoron situatën
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka njoftuar se, sipas parashikimeve të fundit hidrometeorologjike, në basenin e lumit Drin priten reshje me intensitet të lartë gjatë datave 17–23 nëntor, me kulme më 18–19 dhe 22 nëntor. Zonat më të prekura pritet të jenë Theth–Valbonë dhe Shkodër–Pukë.
Sasia e reshjeve të parashikuara arrin deri në 150–200 mm në Fierzë, ndërsa në Koman–Vau i Dejës mund të shkojë deri në 300 mm.
KESH bën me dije se po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën dhe operimi në kaskadë po kryhet brenda kushteve teknike dhe kuotave të lejuara nga rregulloret në fuqi.
Autoritetet ftojnë qytetarët e zonave përreth të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me reshje intensive, për shkak të rrezikut të shtuar nga prurjet e larta dhe problematikat që mund të shkaktohen në terren.
