210 milionë euro nga fajdet dhe skemat e zeza: kështu do ngrihen kullat e Dedjave
Pesë kompanitë e familjes Dedja, nga “GLOB 3X GROUP” te agjencitë turistike dhe transporti i vlerave, përdoren për transferime jashtë bankave, nënkontraktime fiktive dhe skema pastrimi kapitalesh kriminale, ndërsa shteti u jep leje për kulla 210 milionë euro pa kërkuar asnjë provë të burimit të parave.
Kryeministri Edi Rama vazhdon t’i japë leje ndërtimi kompanive klienteliste, pa pyetur për ligjin që kërkon verifikim bankar të burimeve financiare. Rasti më flagrant është ai i Skënder Dedjas dhe djalit të tij, Visjan Dedja, pronarë të “GLOB 3X GROUP”, të cilët morën leje për ndërtimin e dy kullave gjigante në Rrugën e Kavajës, me vlerë investimi 210 milionë euro.
Sipas dokumenteve në QKB dhe Tatime, kompania e tyre ka kapital vetëm 3.5 milionë lekë dhe fitime që variojnë nga 570 mijë lekë deri në 2.2 milionë lekë në vit – shifra qesharake krahasuar me investimin kolosal që kanë marrë përsipër. Edhe një kioskë lagjeje deklaron më shumë lëvizje financiare.
Pyetja që lind vetvetiu është e thjeshtë: Ku i gjen Skënder Dedja 210 milionë euro?
Burimet e financimit nuk gjenden në banka, por në raportet e agjencive që gjurmojnë pastrimin e parave, rrjetet e kleringut, fajdet, dhe kapitalet e errëta të botës së krimit e të korrupsionit publik. “GLOB 3X GROUP” dhe pesë kompanitë e tjera të Dedjave rezultojnë të përdorura për transferime parash jashtë sistemit bankar, përmes skemave me nënkontraktime fiktive, transport vlerash, agjenci turistike dhe “punësime” false.
Vetëm në tre vitet e fundit, familja Dedja ka hapur disa struktura që shërbejnë si lavatriçe financiare:
- “Union Construction” – me aktivitet të padeklaruar dhe pa bilance.
- “Stone 2020 AL” – me objekt minerare, por pa transparencë financiare.
- “V.B.F Albania Transport International”, e përdorur për transport vlerash, mallrash të padeklaruar dhe personash në kërkim.
- “Agjencia Turistike Riviera”, e skeduar për trafiqe droge dhe trafikim klandestinësh.
- “Miqësia e Popujve”, agjenci e punësimit të rremë për lëvizje personash drejt BE-së.
Institucionet e drejtësisë i kanë këto informacione prej vitesh, nga raportet antimafie, antitrafiqe dhe antikrim financiar.
Por askush nuk ka hapur hetim.
Në vend të kësaj, Edi Rama u jep leje ndërtimi kullash, duke bërë sikur nuk ekziston ligji që kërkon provë të burimit të parave.
E gjithë kjo ngre një përfundim të frikshëm:
kullat e reja të Dedjave nuk janë investim, janë proces pastrimi parash, i certifikuar nga vetë shteti.
Në një vend normal, 210 milionë euro pa burim të justifikuar do të ishin alarm kombëtar.
Në Shqipërinë e Ramës, mjafton një firmë e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe një dosje me letra boshe për t’u shpallur “investitor strategjik”.
Skënder Dedja është vetëm maja e ajsbergut, por ky rast është shembulli më i pastër i mënyrës se si ndërtimi në Tiranë është kthyer në laboratorin e pastrimit të parave, të oligarkëve, të politikës dhe të krimit të organizuar./Pamfleti

