Në burg për "Sterilizimin", Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e ish-zv.ministrit Klodian Rjepaj
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj, duke lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Vendimi e mban në qeli zyrtarin e lartë, i cili për vite me radhë ka qenë krahu i djathtë dhe një nga figurat më të afërta me ish-ministrin Ilir Beqaj, sot një tjetër i pandehur në të njëjtën çështje penale.
SPAK akuzon Rjepajn për rol kyç në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, një projekt prej rreth 100 milionë eurosh që sipas hetimeve është dhënë në shkelje të procedurave ligjore dhe në favor të biznesmenit Ilir Rrapaj. Prokuroria e Posaçme argumenton se Rjepaj, në pozicionin e tij si zv/ministër, ka qenë një nga zbatuesit kryesorë të vendimmarrjeve që dyshohen si të parregullta, duke siguruar mbështetjen administrative dhe teknike për vendimet e firmosura nga Beqaj.
Në pretencë, SPAK ka kërkuar 10 vite burg për Klodjan Rjepajn. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse shpallet fajtor, ai përfiton uljen e 1/3 së dënimit, duke e çuar dënimin efektiv në 6 vite e 8 muaj burg. Gjykata e Lartë nuk ka gjetur asnjë arsye ligjore për të zbutur masën e sigurisë, duke vlerësuar se rreziku i cenimit të procesit hetimor mbetet i lartë.
Paralelisht me Rjepajn, ish-ministri Ilir Beqaj është nën hetim për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pasi sipas SPAK ka firmosur dhe orientuar një procedurë koncesionare që dyshohet se ka dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit. Në total, në dosjen e “Sterilizimit” janë të pandehur tetë persona, mes tyre drejtues, ekspertë dhe funksionarë të administratës së shëndetësisë.
Vendimi i sotëm shihet si një tjetër konfirmim i vijimit të linjës së ashpër ndaj korrupsionit në nivele të larta, ndërsa çështja pritet të jetë një nga testet më të rëndësishme për SPAK dhe drejtësinë e re
