Cilat janë 10 kureshtitë e jetës së babait të psikanalizës, Sigmund Freud?
Si çdo njeri që ka lënë gjurmë në historinë e mendimit njerëzor, edhe Sigmund Freud, babai i psikanalizës, mbart në jetën e tij episode intriguese, që e zbulojnë si një qenie komplekse, plot kontradikta dhe pasione të fshehura. Ai nuk ishte vetëm një mjek, por një eksplorues i territ të errët të shpirtit njerëzor, një pionier që guxoi të përkufizojë nënvetëdijen, ëndrrat, dëshirat dhe frikërat tona më të thella.
Freud vdiq më 23 shtator 1939, në Londër, në moshën 83-vjeçare, pas një doze vdekjeprurëse morfine që vetë kishte kërkuar, për t’i dhënë fund dhimbjeve të kancerit që e mundohej prej vitesh. Idetë e tij radikale mbi mendjen e njeriut tronditën konceptet e kohës dhe vijojnë të nxisin debat, admiracion e kundërshti deri sot.
1. Një vdekje e kërkuar me vetëdije
Në verën e vitit 1939, i rraskapitur nga dhimbjet e kancerit të gojës, Freud i kujtoi mjekut dhe mikut të tij, Max Schur, premtimin që ky i fundit i kishte dhënë: të mos e linte të vuante kot. “Tani do të kem vetëm torturë dhe nuk ka më kuptim”, i tha. Me miratimin e vajzës së tij, Anës, mjeku i injektoi tri doza të larta morfine. Ai ra në gjumë të thellë dhe nuk u zgjua më.
2. Varësia ndaj duhanit dhe 30 operacione për kancerin
Freudi filloi të pinte duhan në moshën 20-vjeçare dhe e quante cigaren “mikun e mendimit”. Tymoste mbi 20 cigare në ditë dhe nuk e braktisi këtë zakon as kur mjekët i hoqën një pjesë të nofullës për shkak të kancerit. U operua mbi 30 herë, por vazhdoi të tymoste me të njëjtën këmbëngulje që për disa ishte ves, por për të ishte mënyrë për të mbajtur gjallë përqendrimin dhe krijimtarinë.
3. Kokaina, “ilaçi mrekullibërës” që më vonë u bë mallkim
Në vitet 1880, Freud e konsideronte kokainën si një substancë çliruese, që ndihmonte trupin dhe mendjen. Ai e rekomandoi edhe për miq e pacientë, pa ditur ende për efektet shkatërruese të saj. Vetëm më vonë, kur u kuptua se ajo shkaktonte varësi dhe dëme serioze, Freud e braktisi përdorimin e saj, megjithëse nuk e mohoi kurrë ndjesinë e energjisë që i falte.
4. Refuzimi i ofertës prej 100.000 dollarësh nga Hollivudi
Në kulmin e famës, në vitin 1925, producenti Samuel Goldwyn e quajti “ekspertin më të madh të dashurisë në botë” dhe i ofroi 100.000 dollarë për të shkruar një skenar mbi psikologjinë e dashurisë. Freud e refuzoi, duke thënë se nuk do të lejonte që “shkenca e shpirtit të përdridhet për hir të spektaklit”.
5. “Interpretimi i ëndrrave” – fillimisht një dështim
Sot konsiderohet një nga veprat më të mëdha të shekullit XX, por kur u botua në 1899, “Interpretimi i ëndrrave” nuk ngjalli aspak interes. Në gjashtë vitet e para u shitën vetëm 351 kopje. Vetëm më vonë, bota kuptoi se Freud kishte hapur një dritare të re drejt vetëdijes njerëzore.
6. Shtrati i famshëm ishte dhuratë e një pacienteje
Në zyrën e tij në Vjenë, pacientët shtriheshin në një divan të mbuluar me një qilim persian – një dhuratë mirënjohjeje nga pacientja e tij, Madame Benvenisti. Ky divan u bë simbol i psikanalizës dhe një objekt kulturor që sot ruhet në “Freud Museum” në Londër.
7. Librat e tij u dogjën nga nazistët
Megjithëse ateist, Freud ishte me origjinë hebreje dhe u përfshi në listat e zeza të regjimit nazist. Në vitin 1933 librat e tij u hodhën në flakë, ndërsa ai reagoi me ironi:
“Sa përparim kemi bërë! Në Mesjetë do të më kishin djegur mua, tani mjaftohen me librat e mi.”
Në vitin 1938, me ndihmën e princeshës Marie Bonaparte, arriti të arratisej nga Austria në Londër, ku jetoi muajt e fundit të jetës.
8. Katër motrat e tij vdiqën në kampet naziste
Edhe pse Bonaparte u përpoq të shpëtonte familjarët e tjerë, katër motrat e Freud-it mbetën në Austri dhe u deportuan në kampet e përqendrimit, ku humbën jetën. Freud nuk i mori kurrë vesh hollësitë e fatit të tyre.
9. Studimet mbi jetën seksuale të ngjalave
Në fillimet e tij, Freud studioi zoologji. Në Trieste, iu ngarkua të hulumtonte organet seksuale të ngjalave për të zbuluar si riprodhoheshin. Pas shumë përpjekjesh të kota për të gjetur testikujt e tyre, ai e braktisi kërkimin, ndoshta zhgënjimi i parë që e çoi drejt eksplorimit të “seksualitetit njerëzor”.
10. Tentativa për të vjedhur hirin e tij
Pas vdekjes, hiri i Freud-it u vendos në një urnë të lashtë greke, dhuratë nga princesha Bonaparte. Kur vdiq edhe gruaja e tij, Marta, hiri i saj u bashkua me të. Në vitin 2014, grabitës të paidentifikuar tentuan të vjedhin urnën në Londër, duke e dëmtuar rëndë. Ajo sot ruhet nën mbikëqyrje të posaçme.
Sigmund Freud mbetet një figurë që sfidon çdo kohë. Ai ndërtoi një pasqyrë të re për shpirtin njerëzor dhe na detyroi të shohim në errësirën tonë të brendshme me guxim, jo me frikë.
Mësimi që lë pas është i qartë: të njohësh vetveten nuk është një akt rehatie, por një udhëtim i dhimbshëm drejt të vërtetës. Dhe ndoshta për këtë arsye, emri i tij do të qëndrojë përgjithmonë si simbol i asaj që njeriu më shumë shmang, por më shumë ka nevojë të njohë, vetëdijen e tij.
Përgatiti: Albert Vataj


