Ballanca: Të zgjerohet mandati edhe në sektorin privat

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik u zhvillua një seancë dëgjimore me Avokatin e Popullit.

E pranishme ishte titullarja e institucionit, Erinda Ballanca, e cila tha se, institucioni i Avokatit të Popullit është institucioni me mandatin më të gjerë dhe është institucion i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në kuptim të Parimeve të Parisit.

Duke qenë se tematikat, çështjet dhe problematikat janë të shumëllojshme, Ballanca tha se, në mënyrë të vazhdueshme Avokati i Popullit ka patur kufizime shumë të mëdha personeli për të realizuar funksionet si institucioni kombëtar i mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

“Vlerësimi i buxheti të Avokatit të Popullit dhe i Burimeve Njerëzore të AP merr rëndësi në momentin e riakreditimit. Viti i ardhshëm është viti në të cilin Kombet e Bashkuara do të rishohin performancën e AP si dhe mundësitë fizike dhe reale që ai ka për të garantuar të drejtat e njeriut në vend. Në këtë kuadër kemi kërkuar rritjen e buxhetit të AP”, tha Erinda Ballanca.

Ajo u shpreh se tashmë është realizuar pjesa më e madhe e kërkesave nga Komiteti i Akreditimit. “Kemi vetëm një kërkesë të parealizuar, që ka të bëjë me zgjerimin e mandatit të AP në sektorin privat. Kjo do të thotë, hapjen e mundësisë së mbledhjes së ankesave nga qytetarët edhe për institucione private, siç janë bankat, azilet private, shkollat private etj.”, tha Avokatja e Popullit, e cila shtoi se, aktualisht AP nuk merr dot ankesa mbi performancën e sektorit privat.

Pas një negocimi me Ministrinë e Financave, Avokatit të Popullit i është aprovuar kërkesa për të patur tre persona shtesë në burimet njerëzore. Duke përfshirë këta tre persona, numri i punonjësve në institucionin e AP shkon në 70 punonjës, ku staf teknik janë 36 vetë që punojnë për trajtimin e ankesave e tjerë.

AP shprehu nevojën e ristrukturimit të institucionit në mënyrë tërësore, pasi nuk është bërë asnjë rikonstruksion prej të paktën tetë vjet e gjysmë, që kur Ballanca është në detyrë.

Për momentin ka një projekt për një zhvillim eventual të të gjithë zonës ku ndodhet AP dhe Instituti i Statistikave, i cili do të shembet për shkak të strukturës.

Erinda Ballanca tha se aktualisht AP ka përdorur 92% të buxhetit dhe shprehu besimin se do të arrihet të realizohen objektivat afatshkurtër, të cilët janë paraqitur që në fillim të vitit.

Deputeti Agron Gjekmarkaj i kërkoi Ballancës që Avokati i Popullit të përfshihet në çështjen e minatorëve të Spaçit, ku siç u shpreh ai, kemi të bëjmë me një dramë sociale.

“Unë besoj fort se dinjiteti i punës, dinjiteti i pagës, dinjiteti i të drejtës për të qenë pjesë e një sindikate, siguria e jetës, janë të gjitha pjesë e të drejtave të njeriut. Duhet vetëm një mendje e hapur institucionale që ato të përfshihen në punën e përditshmërinë e AP”, tha Gjekmarkaj në komision.

Ballanca iu përgjigj deputetit Gjekmarkaj duke thënë se mandati i AP kufizohet tek sektori publik, fillon dhe mbaron tek organet e administratës shtetërore.

“Ky është mandati kushtetues që ne kemi”, tha Ballanca duke shtuar se që prej vitit 2020, në çdo raport që ka bërë në Kuvend, ka kërkuar zgjerimin e mandatit të AP në sektorin privat.