PD mungon në konstituimin e “Territoriales”, Mazniku: Duhet konsensus dhe institucione gati për BE-në

Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale u konstituua sot.

Të pranishëm gjatë seancës së konstituimit ishin të pranishëm nga radhët e opozitës deputeti i Partisë së Lirisë Edmond Haxhinasto dhe deputeti i PBDNJ Vangjel Dule.

Në çelje të punimeve bashkëkryetari i këtij Komisioni, Arbjan Mazniku lexoi emrat e anëtarëve të komisionit. Ai u shpreh se sot “hapim një kapitull shumë të rëndësishëm të reformës administrativo-territoriale”.

“Është një prej sfidave më të mëdha që ka vendi në shumë aspekte, jo vetëm në aspektin e mënyrës sesi mund të përmirësojmë në mënyrë të qenësishme shërbimet që marrin qytetarët në të gjithë territorin, por në një kënd edhe më të rëndësishëm që lidhet me integrimin në BE.

“Ne jemi në derë të BE, dhe siç është bërë e qartë synohet që deri në fund të vitit 2027 të mbyllet procesi teknik i negocimit dhe më pas një proces dyvjeçar, të bëhet procesi i ratifikimit të marrëveshjeve me vendet e BE dhe më pas Shqipëria të jetë pjesë anëtare me të drejta të plota në BE.

“Nga ai moment organizimi ynë territorial nuk është më një çështje që lidhet thjesht me Shqipërinë, por ngushtësisht lidhet me programin e kohezionit social të BE, është i lidhur ngushtësisht me një seri të programeve të BE të lidhura me fondet strukturore dhe që do të impaktojë në mënyrë të qenësishme se si do të zhvillohet vendi në 20-30 vitet e ardhshme”, tha Mazniku.

Sipas tij, pasja e institucioneve vendore të afta për të funksionuar në këtë kuadër, kthehet në këtë mënyrë në një sfidë tej mase të rëndësishme. “Kjo do të impaktojmë mënyrën sesi këto institucione do të ofrojnë shërbime, dhe sesi do të ndërveprojnë me bashkësinë e madhe, ku Shqipëria do të jetë anëtare e BE”.

Prandaj, tha Mazniku, duhet të sigurohemi që institucionet e vendit tonë të jenë gati për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. “Procesi do të kërkojë të gjithë konsensusin e mundshëm. Duam të bëjmë një punë sa më të hapur, sa më bashkëpunuese me të gjitha forcat politike në parlament, por edhe me aktorët lokalë, bashkitë, qarqet, të zgjedhurit në këshillat bashkiakë në të gjithë vendin, bizneset, pasi duhet të konsultohemi me komunitetin e biznesit, Akademinë etj. Ne kemi treguar gatishmërinë për të ndërvepruar me institucionet ndërkombëtare, BE e tjerë”, tha Mazniku.

Mazniku theksoi se “objektivi final është që të krijojmë një reformë ku të sigurohemi që të kemi institucione të afta, efikase dhe demokratike”.

Mazniku tha kjo reformë vjen pas asaj të vitit 2014, që sipas deputetit të Partisë Socialiste ishte mjaft e rëndësishme, duke sjell efekte pozitive për vendin.

“Në këto vite buxhetet vendore janë dyfishuar, pra në raport me vitin 2014 sasitë e fondeve që bashkitë kanë në dispozicion janë dy herë më të mëdha. Borxhet e prapambetura janë ulur me 60%. Investimet janë rritur 3-herë. Pesha e pagave ka rënë nga 70% në 43%. Të ardhurat e veta janë trefishuar nga 11 miliardë lekë në 35 miliardë lekë në 2023, dëshmi e qartë kjo se ka funksionuar e gjithë qeverisja vendore. Sasia dhe cilësia e shërbimeve është rritur”, tha Mazniku.

Sipas tij, mendësia e BE ka nisur të jetë pjesë e punës së Bashkive, duke marrë dhe fonde nga unioni europianë. “Vitin e fundit totali i fondeve të tërhequra nga bashkitë e vendit i afrohet 50 milionë eurove, tregues ky se disa bashki po ja dalin. Por, jo të gjitha kanë arritur aty, prandaj ka dhe disa bashki që kanë dhe sfida që duhet ti shohim me radhë”, tha ai.

Mazniku tha se demografia ka ndryshuar dhe për pasojë dhe mënyra sesi ofrohen shërbimet duhet të jetë një derivatë i këtyre ndryshimeve. “Të dhënat e censit të 2023  janë të dhëna të rëndësishme për të kuptuar lëvizjen demografike dhe për mënyrën sesi duhet ti ofrojmë shërbimet qytetarëve tanë”, tha ai.

Mazniku tha se bashkitë nuk duhen parë vetëm si mirëmbajtës të rrugëve, ndriçimit të akseve rrugore, pastrimit të qyteteve…etj, por duhet të jenë faktor të zhvillimit ekonomik të territorit të tyre.

Bashkëkryetari i PS tha se duhet një arkitekturë e re e qeverisjes lokale, për t’ju përgjigjur sfidave gjeografike dhe funksionale. “Duhen bashki financiarisht të qëndrueshme”, nënvizoi Mazniku.

Ai shtoi se duhet vlerësuar dhe ecuria e bashkive në digjitalizimin, inovacionin.

“Na duhen struktura vendore të afta për t’ju përgjigjur sfidave që sjell prekin vendin në procesin e anëtarësimit në BE”, shtoi ai.

Në fund ritheksoi angazhimin e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën.

“Dua të them që ne do të mbetemi gjithmonë vijimësisht të hapur për të bashkëpunuar me opozitën, siç u tregua në mënyrë të qenësishme duke adresuar kërkesat e opozitës gjatë procesit të krijimin e komisionit. Më vjen keq që anëtarët e PD nuk ishin në këtë takim. Shpresojmë që kjo të mos jetë një problem në vijim. Synimi i këtij komisioni duhet të jetë jo sit ë zgjidhim një problem politikë, por një problem administrative territorial për ti ofruar shërbime sa më cilësore në të gjithë vendin. Duhet të ndërtojmë një mekanizma efikas për  qytetarët për 10-20 vitet e ardhshme”, u shpreh ai