“Më thanë se Nuredin Dumani ishte nisur për të më vra*rë”/ Elton Kila dëshmon për Plumbin e Artë: Më kërkuan të ikja, por…
Elton Kila, i njohur ndryshe si Oti Kila ka dhënë dëshminë ditën e sotme në Gjykatës e Posaçme në lidhje me procesin gjyqsor që po mbahet për Plumbin e Artë. Gjatë dëshmisë së tij, Kila theksoi se kanë qenë disa raste kur atij i kanë shkatërruar biznesin.
“Në vitin 2017 dhe në 2018 më kanë shkatërruar biznesin tim. Në 2017 ra zjarr jashtë servisit ku ndodheshin 30 automjete, u dogjën tre makina. Rasti nuk u zbardh kurrë. Edhe në 2018 ndodhi e njëjta gjë, por unë isha i arrestuar atë kohë. Në ditën e tretë të ndalimit, sërish u vu zjarr në biznesin tim dhe përsëri mbeti pa autor,” u shpreh ai.
Kila deklaroi se ditën e plagosjes dhe arrestimit të Nuredin Dumanit ndodhej në Gjermani me familjen. Ai shtoi se nuk është fshehur dhe as nuk ka kërkuar mbrojtje, pavarësisht këshillave nga familja për të qëndruar jashtë vendit.
“Nuk e di kush më dogji biznesin. Dëgjova emra, mes tyre edhe të Elio Bitrit. E njihja si person, e kisha takuar më parë, por pas kësaj u distancova dhe nuk kërkova më shumë. Thashë ‘ia kam lënë Zotit’. Kam parë në lajme për plagosjen dhe arrestimin e tij. Më vonë dëgjova se Dumani kishte qenë nisur për të më bërë atentat mua. Ma kanë thënë shumë njerëz, madje edhe një polic. Por nuk e besova, sepse nuk kam pasur kurrë asnjë përplasje apo lidhje me të,” tha ai.
Të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë” akuzohen për disa vrasje, atentate të mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë, të zbardhura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Prokuroria e Posaçme po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandehur. Nuredin Dumani është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i SPAK, duke zbardhur të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.
