Vinciguerra: Rriten sipërfaqet e monitoruara për kultivimin e kanabisit nga Guardia di Finanza
Guardia di Finanza ka realizuar këtë vit 60 misione monitorimi nga ajri për të evidentuar sipërfaqet e mbjella me lëndë narkotike në të gjithë territorin e vendit.
Gjeneral brigade Luigi Vinciguerra, shef i Departamentit të Operacioneve të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza, prezantoi sot rezultatet e fushatës së monitorimit nga ajri, një bashkëpunim mes autoriteteve italiane dhe Policisë shqiptare që ka nisur në vitin 2012.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi, sipas tij, është hartëzimi dhe monitorimi i zonave dhe sipërfaqeve për përcaktimin e zonave më me risk për kultivimin e bimëve narkotike.
Vinciguerra vlerësoi bashkëpunimin me strukturat e Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se nga ana e Guardia di Finanza po operohet me mjete të teknologjisë së lartë dhe me kamera me rezolucion të lartë.
“Rezultatet e operacionit të mbikëqyrjes janë marrë brenda 24 orëve, ndaj Policia shqiptare ka ndërhyrë në një kohë shumë më të shkurtër se më parë.
Në total, gjatë fushatës në Shqipëri janë kryer 60 misione mbikëqyrjeje nga ajri me 23 orë fluturim në total. Janë realizuar 53 raporte, që lejuan operacione të shumta nga ana e policisë. Kemi kaluar nga monitorimi i 595 zonave në vitin 2024, në 1003 të tilla në vitin 2025”, tha ai.
Ndërkohë gjenerali i Guardia di Finanza theksoi se vihet re kultivimi i lëndëve narkotike në zona më të vështira, kryesisht në veri të vendit. “Trafikantët po kultivojnë në zona edhe më të vështira për t’u arritur apo identifikuar”, shtoi ai.

