A është hakeruar sistemi i SPAK? Flet prokurori Mara

Prokurori i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Vladimir Mara, prezantoi sot projektbuxhetin e SPAK për vitin 2026, në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Në projektbuxhetin për vitin 2026 për SPAK janë parashikuar rreth 2,12 miliardë lekë, me një rritje totale të shpenzimeve prej 233 milionë lekësh.

Gjatë fjalës së tij, Mara theksoi se “buxheti për vitin 2026 për SPAK parashikohet në përmbushje të prioriteteve strategjike, objektivave institucionale dhe misionit të sundimit të ligjit, dhe besueshmërisë në drejtësi duke garantuar administrimin e përgjegjshëm dhe transparent të fondeve publike në funksion të rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, gjatë fjalës së tij, ndër të tjera ngriti shqetësimin për sigurinë kibernetike.

“Para dy ditësh është publikuar në media në lidhje me një hakerim të ndodhur brenda SPAK, ku flitet se janë hakeruar dosjet dhe sistemi kibernetik i brendshëm i juaji. Nëse është e vërtetë kjo do të ishte shumë e rëndë. A keni marrë masa për parandalimin e rasteve të ngjashme? A keni kërkuar rritje të buxhetit për forcimin e sigurisë kibernetike në institucion?”, tha Këlliçi.

Mara tha se nuk ka pasur asnjë problematikë në lidhje me hakerimin e sistemeve kompjuterike brenda SPAK.

“Deri sot nuk kemi pasur problematika të tilla. Është treguar një kujdes i shtuar për ruajtjen e sistemeve duke përditësuar programet më të sofistikuara të ruajtjes, pasi hakerimi në sisteme është problematik”, tha ai.

Drejtori i Drejtorisë së Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar, Armand Shini, sqaroi se “për sigurinë kibernetike janë investuar gati 117 milionë lekë”.

“Gjatë këtij viti për projektbuxhetin e vitit 2026 janë propozuar edhe 52 milionë lekë të tjerë për standardet e sigurisë. Tek ne është një vëmendje e veçantë për sigurinë kibernetike.

Është parashikuar ndërtimi i një rrjeti të mbyllur që nuk ka akses në internet, i dedikuar për elementët e sigurisë, për të rritur sigurinë dhe shkëmbimin e informacioneve nëpërmjet prokurorëve dhe hetuesve. Ky shpenzim shkon në 65 milionë lekë”, tha ai.