BUXHETI 2026/ 78,3 miliardë lekë investime për infrastrukturën dhe energjinë
Investimet në infrastrukturë dhe energji mbajnë një vend të rëndësishëm në projektbuxhetin e vitit 2026, i cili u prezantua sot nga ministri i Financave, Petrit Malaj, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, në një seancë që u zhvillua pa praninë e opozitës, e cila bojkotoi punimet e komisioneve parlamentare.
Sipas Malajt, shpenzimet për infrastrukturën dhe energjinë parashikohen të arrijnë në 78,3 miliardë lekë, me një rritje prej 3,1 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin e vitit 2025.
Këto investime do të përqendrohen në përmirësimin e rrugëve kombëtare, zhvillimin e transportit hekurudhor dhe përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve, duke mbështetur objektivin për modernizimin e rrjetit kombëtar të transportit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike.
Konkretisht, buxheti i vitit të ardhshëm parashikon mirëmbajtjen e 3522 kilometrave rrugë, financimin e aksit Elbasan-Lekaj, si dhe zgjerimin e segmenteve të rëndësishme si autostrada Tiranë-Durrës dhe Berat-Ballaban.
Njëkohësisht parashikohen financime për zgjerimin e rrugës së Ksamilit, ndërtimin e bajpasit të Sarandës, ndërtimin e rrugës Kashar-Nyja Vaqarr dhe rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat-Ndroq-Plepa, si dhe zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë.
Një pjesë e rëndësishme e fondeve shkon drejt sektorit hekurudhor, ku do të vijojë rehabilitimi i linjës Durrës-Tiranë dhe ndërtimi i linjës së re Tiranë-Rinas. Po ashtu, janë planifikuar ndërhyrje në linjat ekzistuese Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë.
Në të njëjtën kohë, projektbuxheti parashikon 11,8 miliardë lekë për projektet në sektorin e ujësjellës kanalizimeve, të cilat do të përdoren për përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe sistemet e kanalizimeve në disa zona të vendit.
Ministri Malaj nënvizoi se këto investime janë pjesë e strategjisë afatmesme të qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës kombëtare, rritjen e sigurisë rrugore dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët.

