Zgjedhjet e pjesshme vendore, nis numërimi i votave
Pas mbylljes së procesit të votimit në orën 18:00 dhe dorëzimit të kutive të votimit në KZAZ-të përkatëse, ka filluar edhe procesi i numërimit të votave për 5 bashkitë e vendit: Vlorë, Tepelenë, Cërrik, Berat dhe Mat.
Numërimi i votave ka nisur fillimisht në KZAZ-të e Tepelenës ku po numërohen votat e fshatrave Nivicë, Progonat dhe Sinanaj. Në bashkinë e Tepelenës për herë të parë do të aplikohet edhe testi i inumërimit të votave me Inteligjencë Artificiale, por krahas këtij procesi, numërimi do të vijojë manualisht.
Më pas, procesi i numërimit ka nisur në Cërrik dhe Berat, ndërsa pritet të nisë edhe në Vlorë dhe Mat.
Në të gjitha qendrat e këtyre pesë bashkive kishin të drejtë vote në total 334 mijë qytetarë, ku pjesëmarrja e tyre rezultoi me 18.51%.
Pjesëmarrjen më të lartë e shënoi Bashkia Mat me 39.23%, ndërsa më e ulët ishte në Bashkinë Vlorë me 12.59%. Pjesëmarrja në bashkitë e tjera ishte: Tepelenë 34.63%, Cërrik 24.81% dhe Berat 19.81%.
Procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore u zhvillua kryesisht në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
Në këto zgjedhje të pjesshme, në Vlorë garojnë për të marrë drejtimin e Bashkisë, kandidatja socialiste Brunilda Mersini përballë Dionis Sotës, kandidatit i pavarur i mbështetur nga opozita, si dhe anëtari i këshillit bashkiak nën siglën e demokratëve Gjergj Nika.
Për bashkinë e Beratit, në garë janë kandidati socialist Ervin Caka dhe kandidati i pavarur, Pavlo Shkarpa, i mbështetur nga opozita.
Për bashkinë e Matit në garë janë kandidati socialist Altin Bojni dhe kandidati i pavarur Eduard Brahilika, i mbështetur nga opozita.
Në Cërrik, kandidati socialist Florenc Doka përballet me kandidatët, Amarildo Hoxha i mbështetur nga Partia Demokratike dhe aleatët, dhe Eligert Hima i propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Për bashkinë e Tepelenës garojnë kandidati socialist Gramoz Sako, ndërsa opozita ka mbështetur kandidatin e pavarur Gabriel Guma.
Kryebashkiakët që do të dalin fitues nga këto zgjedhje do të kenë mandat deri në zhvillimin e zgjedhjeve të radhës lokale në pranverën e vitit 2027.

