Kapitulli për Mjedisin mbetet ndër më të dobëtit/ Nika: Mungon vullneti politik për mjedisin

Çështjet e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, të përfshira në kapitullin 27 të negociatave , mbeten ndër fushat më sfiduese për Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, sipas progres raportit të Këshillit Evropian.

Raporti thotë se reformat mjedisore nuk po ecin me ritmin e duhur dhe se zbatimi i standardeve të BE-së mbetet i pjesshëm.

Biologu dhe eksperti i mjedisit Olsi Nika, në një intervistë për “Ora News”, thekson se mungesa e vullnetit politik për të çuar përpara reformat është pengesa kryesore.

Një tjetër problem madhor sipas Nikës mbetet mungesa e kapaciteteve institucionale për të monitoruar elementët bazë të mjedisit, si cilësia e ajrit dhe e ujit

Raporti i Komisionit Evropian përmend gjithashtu se projektet zhvillimore shpesh nuk respektojnë standardet e BE-së për vlerësimin e ndikimit në mjedis, duke rrezikuar dëmtimin e ekosistemeve dhe komuniteteve lokale.

Si rrjedhojë, kapitulli 27 konsiderohet ende një nga më sfiduesit për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe kërkon angazhim më të madh politik, teknik dhe institucional për të përmbushur standardet e Bashkimit Evropian.