Rreth 200 raste bullizmi online, AKSK platformë të avancuar për raportim dhe edukim

Në një kohë ku transformimi digjital po ndikon në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, ekonomike dhe institucionale, siguria kibernetike ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe jo vetëm.

Vendi ynë, si pjesë e pandashme e ekosistemit global të informacionit, është e angazhuar të përballet me sfidat dhe të përqafoj mundësitë që ofron hapësira kibernetike, për të siguruar një mjedis digjital të sigurt dhe të besueshëm për qytetarët, bizneset dhe institucionet e saj.

Në zbatim të ligjit “Për sigurinë kibernetike”, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka një rol të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet që paraqiten në mjedisin online. Qëllimi është krijimi dhe forcimi i një mjedisi të sigurt dixhital, ku fëmijët dhe adoleshentët të mund të mësojnë, komunikojnë dhe ndërveprojnë pa u ekspozuar ndaj kërcënimeve.

Era Gjata, përgjegjëse në sektorin e Koordinimit të Projekteve Ndërkombëtare, Zhvillimit Strategjik dhe Identifikimit pranë AKSK-së tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “mbrojtja online e fëmijëve dhe të rinjve është një prioritet për vendin tonë, pasi rritja e përdorimit të teknologjisë dhe internetit nga të miturit është shoqëruar me rritjen e ekspozimit ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve online”.

“Në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025–2030, nxitja e kulturës kibernetike është një politikat që synon edukimin e përdoruesve për një sjellje të ndërgjegjshme dhe të sigurt në hapësirën digjitale. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare po promovon zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të avancuara, si Inteligjenca Artificiale dhe identifikimi elektronik. Për këtë arsye, është e rëndësishme që brezi i ardhshëm të pajiset me njohuritë dhe aftësitë e duhura për t’u mbrojtur dhe për t’u orientuar në një mjedis dixhital gjithnjë e më kompleks. Edukimi i tyre me përgjegjësi krijon bazat për një shoqëri të sigurt në të ardhmen”, tha ajo.

Sipas Gjatës, një ndër fenomenet më të përhapura është bullizmi kibernetik, nga e cila fëmijët përjetojnë nënçmime, poshtërime apo përhapje të informacionit shpifës në rrjete sociale dhe platforma komunikimi.

“Sipas raportimeve të adresuara pranë AKSK, 200 raportime për vitin 2025, shumica e rasteve të identifikuara deri më tani përfshijnë vajza, të cilat shpesh janë më të ekspozuara ndaj presionit dhe gjuhës dhunuese online. Përveç bullizmit, rreziqe të tjera të rëndësishme përfshijnë mashtrimet online, përfshirë manipulime për dërgim informacioni personal, akses në llogari, apo përfitime financiare të paligjshme, ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, si materiale të dhunshme, pornografike apo që nxisin sjellje të rrezikshme, kontaktet me persona të panjohur, ku mund të ndodhin tentativa mashtruese, shfrytëzuese apo manipulime emocionale”, vijoi ajo.

Gjata tha se AKSK ka ndërmarrë një sërë programesh dhe fushatash ndërgjegjësimi për sigurinë online, duke zhvilluar takime të rregullta me nxënës dhe të rinj për t’i pajisur ata me njohuri praktike mbi mbrojtjen në mjedisin digjital.

“Së fundmi, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, është realizuar një program trajnimi për 41 senatorë nga gjimnazet e Tiranës. Këta nxënës u trajnuan mbi higjienën kibernetike, etikën online dhe sigurinë digjitale, me qëllim që më pas të shërbejnë si trajnerë në shkollat e tyre dhe të promovojnë te bashkëmoshatarët përdorimin e sigurt të teknologjisë digjitale”, theksoi ajo.

Gjata theksoi se AKSK nuk ka bashkëpunime direkte me kompanitë e medieve sociale, por punon ngushtë dhe në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.

“AKSK bashkëpunon ngushtë me të gjitha institucionet kompetente në vend, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Policinë e Shtetit, AKEP, ASHDMF dhe të tjera, për organizimin e fushatave ndërgjegjësuese, edukimin digjital të fëmijëve dhe trajtimin e rasteve të përmbajtjeve të dëmshme ose të paligjshme në internet. Po ashtu, Autoriteti ka bashkëpunime me partnerë ndërkombëtarë, si ITU (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit), me të cilin u implementua projekti pilot për Mbrojtjen e Fëmijëve Online gjatë viteve 2021–2023. Ky bashkëpunim ka mundësuar ndarjen e përvojave, zhvillimin e praktikave të mira dhe forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e fëmijëve në mjedisin digjital, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha Gjata.

Përgjegjësja e sektorit të Koordinimit të Projekteve Ndërkombëtare, Zhvillimit Strategjik dhe Identifikimit, u shpreh se “AKSK synon të vazhdojë dhe të forcojë punën për mbrojtjen online të fëmijëve dhe të rinjve përmes fushatave ndërgjegjësuese, trajnimeve të vazhdueshme për punonjësit që merren me fëmijët, oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit dhe specialistët e mbrojtjes së të miturve, si dhe përmes spoteve dhe aktiviteteve edukative që rrisin vetëdijen ndaj kërcënimeve të reja në mjedisin digjital”.

“Në plan afatgjatë, AKSK po punon për krijimin e një platforme të avancuar për raportim dhe edukim, e cila do të mundësojë raportimin e incidenteve online dhe ndërveprimin e institucioneve përgjegjëse. Platforma do t’u lejojë raportuesve të ndjekin vetë raportimet e tyre, duke siguruar transparencë, gjurmueshmëri dhe koordinim më të mirë mes institucioneve, si dhe duke rritur efikasitetin në reagimin ndaj kërcënimeve dhe mbrojtjen e të rinjve në hapësirën digjitale”, përfundoi Gjata.