BE-ja ndalon vizat me hyrje të shumëfishtë për shtetasit rusë
Shtetet e Bashkimit Evropian nuk do të lëshojnë më viza me hyrje të shumëfishtë për shtetasit rusë, pas “akteve të sabotazhit dhe keqpërdorimit të mundshëm” të vizave, njoftoi sot Komisioni Evropian.
Shtetasit rusë do të duhet të aplikojnë për një vizë të re sa herë që duan të hyjnë në BE, me qëllim që të shqyrtohen më shpesh aplikantët dhe të ulet rreziku i mundshëm për sigurinë, tha komisioni.
“Pushtimi i paligjshëm i Ukrainës nga Rusia ka krijuar mjedisin më të rrezikshëm për sigurinë në Evropë për dekada. Tani përballemi me ndërprerje të paprecedentë nga dronët dhe sabotazhe në tokën tonë”, tha diplomati i lartë i BE-së, Kaja Kallas, në një deklaratë.
“Ne kemi detyrën të mbrojmë qytetarët tanë. Rregulla më të rrepta do të zbatohen tani për shtetasit rusë që kërkojnë vizë për të udhëtuar në BE”, shtoi ajo, duke theksuar se “udhëtimi dhe lëvizja e lirë brenda BE-së është një privilegj, jo e dhënë si e drejtë”.
Numri i vizave të lëshuara për shtetasit rusë ka rënë nga 4 milionë në rreth 500 000 brenda disa viteve, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Shifra ende relativisht e lartë ka shkaktuar së fundmi pakënaqësi dhe kritika, veçanërisht në vendet lindore të BE-së, pasi rusët e pasur ende mund të shkojnë për pushime në Evropë ndërkohë që njerëzit po vdesin në Ukrainë si pasojë e luftës së Rusisë.
BE-ja ka vendosur gjithashtu të kufizojë lirinë e lëvizjes së diplomatëve dhe zyrtarëve konsullorë rusë, si dhe stafit dhe familjeve të tyre, për shkak të shqetësimeve mbi spiunazh dhe dezinformim.
Nga 25 janari i vitit të ardhshëm, ata do të duhet të regjistrojnë udhëtimet midis shteteve anëtare të BE-së të paktën 24 orë më parë në vendet e destinacionit dhe transitit.
