DËNIMI I PARË PËR KRIMET NË LUFTË! Burg përjetë për ushtarin rus që vr*u ukrainasin e kapur rob në front
Një gjykatë ukrainase ka dhënë dënimin e parë me burgim të përjetshëm ndaj një ushtari rus për ekzekutimin e një të burgosuri lufte ukrainas. Autoritetet në Kiev e cilësuan vendimin si një paralajmërim ndaj shkeljeve të ligjeve të luftës nga trupat ruse
Një gjykatë në Ukrainë ka dhënë dënimin e parë me burgim të përjetshëm ndaj një ushtari rus, i akuzuar për ekzekutimin e një të burgosuri lufte ukrainas, gjatë luftës që vijon mes dy vendeve.
Dmitry Kurashov, 27 vjeç, u shpall fajtor për vrasjen e një veterani të ushtrisë ukrainase, i kapur rob lufte nga forcat ruse në fillim të vitit 2024.
Sipas hetimeve, ushtari rus e qëlloi viktimën nga afër me armë automatike, edhe pse ai ishte i paarmatosur dhe kishte ngritur duart në shenjë dorëzimi.
Policia Kombëtare e Ukrainës njoftoi se dëshmitë, ekspertizat mjeko-ligjore dhe pamjet filmike konfirmuan se vrasja ishte e qëllimshme, kryer me urdhër të komandantëve rusë, të cilët kishin urdhëruar trupat “të mos merrnin robër ukrainas”.
Gjatë gjyqit që zgjati disa muaj, u provua se njësia e Kurashovit kishte sulmuar një pozicion ukrainas në Zaporizhzhia më 6 janar 2024, ku më pas ai dhe shokët e tij u kapën si të burgosur lufte.
Fillimisht, Kurashov pranoi fajësinë, por më vonë e tërhoqi deklaratën, duke pretenduar se ishte një mjek rus, tashmë i vdekur, ai që kishte qëlluar ukrainasin.
Në proces, 27-vjeçari nuk dëshmoi kurrë, ndërsa avokatja e tij tha se ai ishte penduar dhe besonte se po zbatonte urdhra ushtarakë për të mos marrë robër.
Prokurori ukrainas që ngriti çështjen kërkoi dënimin maksimal, duke theksuar se i pandehuri nuk tregoi asnjë shenjë pendese dhe asnjë ndjeshmëri ndaj krimit.
Sipas Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (HUR), deri në maj të këtij viti janë dokumentuar mbi 150 raste ekzekutimesh të të burgosurve të luftës nga trupat ruse që prej nisjes së pushtimit të plotë në vitin 2022.
Zyrtarët ukrainas e cilësojnë këtë si një praktikë të qëllimshme të ushtrisë ruse, ndërsa organizatat ndërkombëtare kërkojnë hetime për krime lufte.
Edhe forcat ukrainase janë përballur me akuza për ekzekutime të robërve rusë, por në përmasa shumë më të vogla, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë.

