Koreja e Veriut dhe Rusia diskutojnë zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak

Zyrtarë të lartë ushtarakë të Koresë së Veriut dhe Rusisë diskutuan këtë javë në Phenian për forcimin e bashkëpunimit, njoftoi sot media shtetërore koreanoveriore, ndërsa dy vendet vazhdojnë të harmonizojnë qëndrimet lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë, sipas AP.

Raporti u publikua pak ditë pasi agjencia e zbulimit e Koresë së Jugut, gjatë një seance të mbyllur për ligjvënësit, tha se kishte vërejtur shenja rekrutimi dhe stërvitjeje në Korenë e Veriut, ndoshta për përgatitje të dërgimit të trupave shtesë në Rusi.

Agjencia zyrtare e Koresë së Veriut, Korean Central News Agency (KCNA), tha se zyrtarët koreanoveriorë, të udhëhequr nga Pak Yong Il, zv/drejtor i Zyrës së Përgjithshme Politike të Ushtrisë Popullore të Koresë, zhvilluan  bisedime me një delegacion rus të udhëhequr nga zv/ministri i Mbrojtjes, Viktor Goremykin.

KCNA -ja njoftoi se të dyja palët diskutuan zgjerimin e bashkëpunimit në përputhje me “raportet e thella bilaterale” të zhvilluara nën udhëheqjen e Kim Jong Un dhe Vladimir Putin. Raporti nuk përmendi asnjë marrëveshje specifike. KCNA tha gjithashtu se delegacioni I ministrit  Goremykin u takua veçmas dje  me ministrin e Mbrojtjes së Koresë së Veriut, No Kwang Chol.

Kur u pyet nëse zyrtarët koreanoveriorë dhe rusë mund të kenë diskutuar për dërgimin e trupave shtesë nga Koreja e Veriut në Rusi, Chang Yoon-jeong, zëdhënëse e Ministrisë së Bashkimit të Koresë së Jugut, tha se Seuli po monitoronte ngushtë situatën, por nuk do të bënte supozime.

Takimet mes Koresë së Veriut] dhe Rusisë zhvilluan pak ditë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, vizitoi Korenë e Jugut për bisedimet vjetore të sigurisë mes aleatëve dhe lavdëroi planet e Seulit për të rritur shpenzimet ushtarake përballë kërcënimeve nga Koreja e Veriut e armatosur bërthamor dhe pasigurisë së rajonit.