Kremlini ndërpret marrëdhëniet me Lavrov pas dështimit të samitit Trump-Putin

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov duket se nuk është më në favor të Kremlinit pas një telefonate të dështuar me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio që çoi në anulimin e samitit të planifikuar midis udhëheqësit rus, Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, raportoi “The Moscow Times”.

Lavrov, 76 vjeç, i cili ka drejtuar Ministrinë e Jashtme për më shumë se dy dekada, mungonte dukshëm në një takim kyç të Këshillit të Sigurimit më 5 nëntor, ku Putini diskutoi rivendosjen e testeve bërthamore – të kryera për herë të fundit në vitin 1990.

Sipas burimeve, mungesa e Lavrov ishte “e koordinuar”, megjithëse ai ishte i vetmi anëtar i përhershëm që mungonte në seancë.

“Diplomati veteran është shkarkuar gjithashtu nga detyra e kreut të delegacionit të Rusisë në samitin e G20 të këtij viti, një pozicion që tani i është caktuar ndihmësit presidencial Maxim Oreshkin”, konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Ndërkohë, Putini nuk do të marrë pjesë në samitin në Afrikën e Jugut, ku ai përballet me një urdhërarresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”, shkroi “The Moscow Times”.

Riorganizimi vjen pas bisedës telefonike të Lavrov me Rubio më 21 tetor, që synonte përgatitjen e takimit Trump-Putin në Budapest.

Megjithatë, thuhet se Rubio i kërkoi Trump ta anulonte samitin. Pak kësaj, Uashingtoni vendosi sanksione të reja ndaj kompanive të naftës “Rosneft” dhe “Lukoil” – të parat që nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Më herët, u raportua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë anuluar samitin e planifikuar në Budapest midis Donald Trump dhe Vladimir Putin, pasi Moska refuzoi të zbuste kërkesat e saj territoriale në lidhje me Ukrainën”, raportoi “Financial Times” (FT).

Sipas raportit, vendimi erdhi pas një telefonate të tensionuar midis sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë së cilës Uashingtoni arriti në përfundimin se Moska nuk ishte e gatshme të negocionte.