Gjykata e Lartë rrëzon dënimin e 15 viteve burg për Domart Konjarin! Dosja e shumë të kërkuarit të drejtësisë kthehet në Apeli e GJKKO

Dosja penale ndaj shumë të kërkuarit të drejtësisë Domart Konjari do të rigjykohet sërish në Apelin e Posacëm me një tjetër trupë gjykuese.

Gjykata e Lartë një ditë më parë ka prishur vendimin e shkallës së dytë ku e ka dënuar Konjarin me 15 vite burg në mungesë.

Konjari me 7 tetor të vitit 2021 u shpall fajtor me vendim të formës së prerë  për një sërë akuzash që përfshihen “Krijim, organizim dhe drejtim organizate kriminale”; “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave, vizave” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Sipas prokurorisë Konjari është i përfshirë në trafikun e kokainës dhe heroinës nga Amerika Latine në Evropë e kryesisht në Francë.

Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës në disa shtete të Evropës Qendrore pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin në Amerikën e Jugut.

Ai është i akuzuari kryesor për ekzekutimin e Devi Kasmit, me të cilin kishte pasur edhe bashkëpunim në fushën e narkotikëve.

Madje dyshohet se drejtonin bashkë në Spanjë një grup të trafikut të drogës, një nga furnizuesit e Evropës me kokainë.