Senatorë nga gjimnazet e Tiranës, trajnim mbi përdorimin e sigurt të teknologjisë digjitale

Në gjimnazin “Sami Frashëri” u organizua trajnimi mbi “Higjienën Kibernetike dhe Praktikat më të Mira të Sigurisë Online”.

Në këtë trajnim morën pjesë 41 senatorë nga gjimnazet e Tiranës, të cilët më pas do të bëhen trajnerë të shkollave të tyre, duke promovuar te bashkëmoshatarët përdorimin e sigurt të teknologjisë digjitale.

Gjatë këtij programi, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri nëpërmjet ushtrimeve praktike dhe simulimeve reale, ata mësuan si të mbrojnë të dhënat personale, si të parandalojnë bullizmin online, si të ndërtojnë fjalëkalime të forta dhe rëndësinë e gjurmës digjital.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale tha se “edukimi për sigurinë dhe përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë, është pjesë e projekteve në shkolla me qëllim formimin e brezave të ndërgjegjshëm, të aftë dhe të sigurt në botën online”.

Me anë të këtij trajnimi synohet rritja e ndërgjegjësimit për përdorimin e sigurt të internetit dhe teknologjisë nga të rinjtë, në mënyrë që të lundrojnë me kujdes në hapësirën digjitale, duke përfituar nga teknologjia, por njëkohësisht duke shmangur rreziqet potenciale online.