Projektligji për "barazinë gjinore”, reagon KNFSH: Jemi të palëkundur në qëndrimin tonë, rëndësi ka familja dhe vlerat morale
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar sërish në lidhje me projektligjin mbi barazinë gjinore, i cili do të votohet ditën e nesërme në Kuvend.
Përmes një deklarate për shtyp KNFSH, u shpreh se qëndron i palëkundur në qëndrimin e tij mbi këtë projektligj.
Ata thanë se qëndrimi i tyre kundërt vjen duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore të familjes, të traditës shoqërore dhe asaj morale shqiptare.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë deklaroi se mbetet i përkushtuar ndaj dialogut të hapur dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore e shoqërinë civile.
Kjo me synimin për të forcuar harmonin ndërfetare dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme.
Deklarata e KNFSH
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, rithekson edhe një herë qëndrimin e tij zyrtar, të shprehur në letrën dhe deklaratën e mëparshme, lidhur me projektligjin “Për barazinë gjinore”. KNFSH qëndron i palëkundur në pozicionin e tij, siç është artikuluar qartë në dokumentin e dërguar më parë institucioneve përkatëse, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore të familjes, të traditës shoqërore dhe morale shqiptare, si dhe të parimeve të besimeve tona fetare, në frymën e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë mbetet i përkushtuar ndaj dialogut të hapur dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore e shoqërinë civile, me synim forcimin e harmonisë ndërfetare dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!
