Pas grevës, naftëtarët e Marinzës u rikthehen protestave për rritjen e pagave
Naftëtarët e shoqërisë “Bankers Petroleum” në Marinzë, protestuan këtë të mërkurë para zyrave të Bankers në Fier, ku kërkuan sërish plotësimin e kërkesave të tyre, për rritjen e pagave dhe trajtim të drejtë e të barabartë për çdo naftëtar.
Pas një ndërprerjeje disaditore të grevës së urisë dhe bojkotit të punës, kreu i Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve, Dritan Shahu tha se naftëtarët do të vazhdojnë të kërkojnë atë që u takon.
“Kërkojnë dinjitet naftëtarët, të paguhen me paga dinjitoze për sektorin që përfaqësojnë, të trajtohen jo të ndarë, të diferencuar e diskriminuar nga njëri-tjetri apo edhe nga shtetasit e huaj, të trajtohen të gjithë të barabartë.
“Gjithashtu është thënë se e kemi dietën ushqimore 13200 lekë, nuk është kaq, kjo është ajo që ne kemi kërkuar dhe mendohet se do të hyjë në fuqi nga kompania tani, por përsëri nuk është thënë që këtu për katering dhe bankete harxhohen qindra-mijëra dollarë në vit”, tha Shahu.
Sipas medieve, ditën e enjte pritet të zhvillohet një takim në Tiranë mes naftëtarëve dhe kompanisë “Bankers Petrolium”, ku shteti do të përfaqësohet si ndërmjetësues nga Ministria e Ekonomisë dhe Inspektorati i Punës.
Naftëtarët kanë zhvilluar grevë urie për dy javë, por pa arritur marrëveshje me kompaninë e naftës “Bankers Petroleum”.
Sindikata ka kërkuar: Rritjen e fondit të pagave me 18%, duke shpërndarë rritjen për punonjësit e fushës dhe ata me paga të ulëta; Zbatimin e ligjit për statusin e naftëtarit dhe përshtatjen e profesioneve sipas ligjit për statusin e naftëtarit; Promovimin sipas meritokracisë dhe jo preferencave personale; Shpërndarjen e drejtë të bonuseve, duke shmangur diferencat mes drejtuesve dhe punonjësve; Rritjen e trajtimit ushqimor nga 9000lekë në 13200 lekë në muaj.
