Spiropali me homologun holandez: Fuqizojmë bashkëpunimin në ekonomi, siguri dhe integrim evropian

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali u prit sot në Hagë nga ministri i Jashtëm holandez David van Weel, në një takim me fokus partneritetin dhe mbështetjen e Holandës në rrugën e integrimit të shpejtë europian të Shqipërisë.

Të dy homologët nënshkruan një deklaratë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetin europian.

Deklarata e firmosur synon fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit në fushën e integrimit europian, sigurisë dhe ekonomisë.

Ministrja e falënderoi homologun holandez për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda nëntorit të grupkapitullit 5.

Spiropali theksoi se ky kapitull përmbyll hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Sipas Spiropalit, qasja e Holandës për zgjerimin e BE-së bazuar mbi meritën, përkon me mbështetjen konstruktive të vendit mik për agjendën europianizuese të Shqipërisë.

Ministri holandez theksoi se vendi i tij do të vijojë mbështetjen për fuqizimin e kapaciteteve institucionale në rrugën e transformimit dhe fuqizimit demokratik të vendit.