Gishtat që shtrihen për të prekur çastin sublim, për të kurorëzuar aktin e hirit, takimin e Zotit me Njeriun
Arti është ai që merr frymëzimin e misterit dhe e kthen në pamje; ai jetëson çastin kulmor të ekzistencës, duke i dhënë formë e dritë një prej momenteve më të jashtëzakonshme të komunikimit metafizik: çastit kur tokësorja dhe qiellorja jo vetëm preken, por krijojnë një pakt të heshtur, një delegim hyjnor të së drejtës për të zotëruar dhe përjetuar jetën.
Është momenti kur gishtat, të dridhshëm nga madhështia e asaj që po ndodh, shtrihen drejt një kontakti që s’është vetëm trupor, por ontologjik, preludi i ndërgjegjes, i frymës, i vetë dinjitetit njerëzor.
Më 1 nëntor 1512, në Romë, publikut iu zbulua për herë të parë tavani i Kapelës Sistine, i mbushur me freskat madhështore të Michelangelo Buonarroti-t. Aty, mbi një sipërfaqe që numëron mijëra figuracione, shquhet si një kryeshkëndijë e epokës së Rilindjes piktura “Krijimi i Adamit”, përmendorja vizuale e çastit kur Zoti zgjatet për t’i dhënë Njeriut të Parë “dorën e fundit”, siç thonë disa, flakën e intelektit, vetë zjarrin e mendimit.
Ironikisht, këtë mrekulli Michelangelo e krijoi në një periudhë kur këmbëngulte se ishte vetëm skulptor, jo piktor. I shtyrë nga urdhri i Papës, ai punonte i lodhur e i dëshpëruar, duke i shkruar në vitin 1510 një miku të tij: “Nuk jam i bërë për këtë punë, nuk jam piktor.” Dhe megjithatë, gjysma e kupolës Sistine ishte tashmë e përfunduar, dëshmi se gjenialiteti nuk njeh kufij as kur vetë krijuesi mendon se po punon kundër natyrës së tij.
Kapela Sistine, ku edhe sot zhvillohet konklava për zgjedhjen e Papës, mban këtë emër nga Sixtus, latinizimi i emrit të Papa Sixtus IV, i cili, në vitet 1470, ndërtoi këtë hapësirë të shembëlltyrës së lëmuar, të suvatuar e të “patinuar”, për ta bërë jo vetëm një vend lutjeje, por një teatër të shenjtë të artit dhe frymëzimit njerëzor.
Aty, nën atë kupolë të pavdekshme, qëndron i ngrirë në kohë ai çast hyjnor: dy gishta që afrohen, dy botë që takohen, një jetë që ndizet. Dhe arti, me gjuhën e tij të përjetshme, e bën atë çast të jetë i gjallë për çdo sy që ka guximin ta sodisë.

