Penat dhe parmendat e një toke të ashpër/ Lev Tolstoi dhe Maksim Gorki, ndërgjegjja që thërriste nga thellësia e shpirtit dhe zëri i popullit që rënkonte

Në vitin 1900, në Yasnaya Polyana, atë hapësirë ku ajri dukej se mbante aromën e letërsisë, moralit dhe meditimit, u fiksa në celuloid një moment që sot lexohet si kapitull i gjallë. Një çast që shkruhet përmes vërtetësisë vizive 125 vite të shkuara dhe çfarë ishte dhe kumtoi, për atëherë dhe për tash, jeta e penave që ishin parmenda të tokës së ashpër të shpirtit rus.

Lev Tolstoi dhe Maksim Gorki, dy emra që do të shënonin dy epoka, dy kahje dhe dy temperamente të fuqishme të letrave ruse, qënduan pranë njëri-tjetrit nën syrin e heshtur të aparatit fotografik që mbante në dorë Sofia Andrejevna Tolstaja. Ajo, përveç që ishte zemra morale e shtëpisë dhe bashkëudhëtare e jetës së Tolstoit, ishte edhe një vëzhguese e përpiktë e kohës së saj, një kronikane me lente, që fiksone çaste të cilat, pa ndërhyrjen e saj, sot do të ishin thjesht kujtime të tretura në mjegull.

Në atë kohë, Tolstoi ishte tashmë një mal i palëvizshëm në horizontin e kulturës botërore. “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina” e kishin vendosur emrin e tij në lartësitë e një Homeri modern, ndërsa shkrimet e tij filozofike, të ashpra, të sinqerta, shpesh radikale, e kishin bërë një lloj profeti të epokës së tij. Ai fliste për lirinë shpirtërore, për refuzimin e dhunës, për moralin e brendshëm, për jetën si akt i ndërgjegjes dhe jo si nënshtrim ndaj dogmave.

Ndërkohë, përballë tij qëndronte Gorki, djaloshi i ashpër i rrugëve të Nizhni Novgorodit, që kishte shpërthyer në skenën letrare me një energji të egër, të pastër, të vërtetë. Ai shkruante për varfërinë, për zullumin, për etjen e njeriut të zakonshëm për dritë. Gorki ishte zëri i popullit që rënkonte, ndërsa Tolstoi ishte ndërgjegjja që thërriste. Dhe megjithëse vinin nga botë të ndryshme, aristokrati i përhumbur dhe revolucionari autodidakt, mes tyre u krijua një rezonancë e thellë, një dialog që e tejkalonte kohën e tyre.

Në takimin e vitit 1900, Gorki nuk ishte vetëm një i ri plot admirim; ai ishte dëshmitar i gjallë i një shenjtërie intelektuale. Tolstoi e trajtoi jo si nxënës, por si bashkëbisedues, si dikë që mbante mbi shpinë barrën e së ardhmes. Dhe me të vërtetë, aty, në atë fotografi, duket sikur ndodh një dorëzim i heshtur i pishtarit: nga Tolstoi, i cili sundonte moralin dhe universalitetin e shpirtit rus, te Gorki, që do të mishëronte revoltën, realizmin e ashpër dhe shpirtin e epokës së re.

Yasnaya Polyana ishte skena e përsosur për këtë takim: një strehë e qetësisë filozofike dhe e mendimit të lirë, një oaz ku Tolstoi kishte zbritur barrën e botës për ta kthyer në fjalë. Këtu u zhvilluan biseda që përshkuan moralin, politikën, fatin e Rusisë, dimensionin e artit dhe peshën e të vërtetës. Këto biseda, sipas Gorkit, ishin udhërrëfyese, shpesh tronditëse, sikur të ndodhej para një prifti të brumosur me tokësoren dhe qielloren njëkohësisht.

Fotografia e vitit 1900, prandaj, nuk është thjesht një portret i dy shkrimtarëve; ajo është një ikonë e shpirtit rus në udhëkryq. Në të takohen dy rryma: humanizmi moral i Tolstoit dhe humanizmi social i Gorkit. Dy botë të ndryshme, por të ndërtuara nga i njëjti material: dhimbja e njeriut, kërkimi për drejtësi, etja për të kuptuar ku qëndron e vërteta.

Aty ku Tolstoi shihte shpëtimin përmes thjeshtësisë dhe moralit, Gorki shihte shpëtimin përmes veprimit dhe ndryshimit shoqëror. Por të dy njihnin të njëjtën plagë të shpirtit rus, një plagë që vetëm letërsia e madhe mund ta bëjë ta buçasë me të vërtetën e saj.

Në atë fotografi, e realizuar nga dora e qetë e Sofies, gjendet një çast që i përket jo vetëm historisë së letërsisë, por edhe historisë së ndërgjegjes njerëzore. Është çasti kur dy pena, dy epoka dhe dy filozofi të një kombi të trazuar rrinë pranë njëri-tjetrit, duke lënë pas një testament që ende sot e ndjejmë të pulsojë.

Në këtë mënyrë, takimi i Tolstoit me Gorkin është më shumë se një ngjarje letrare; është një nyje e shpirtit rus, ku tradita dhe revolta ndezin së bashku flakën e së ardhmes.