Max Planck, ai që na mësoi se shkenca nuk matet me atë që dimë, por me pyetjet që s’kemi frikë t’i bëjmë

Ka momente në histori kur një fjali e thjeshtë është në gjendje të ndalojë ëndrrat, të shuajë zjarrin e rinisë, të mbyllë shtigje që sapo kanë filluar të hapen.

Por ka edhe njerëz që nuk dekurajohen kurrë, edhe kur dëgjojnë se gjithçka që duan të arrijnë është e pamundur, e kryer, e mbyllur.

Kjo është historia e një djali të ri që trokiti në derën e profesorit të tij për të kërkuar një këshillë,  jo për karrierë, por për kuptimin e vetë jetës së tij. Një djalë që donte të kuptonte nëse ia vlente të hynte në një shkencë ku, sipas mendimit të epokës, nuk kishte mbetur më asgjë për të zbuluar.

Ky djalë quhej Max Planck. Dhe ajo derë që u hap atë ditë, do të çonte drejt revolucionit më të madh shkencor që njohu shekulli XX.

Ishte viti 1874 kur një student i ri, ende i pasigurt për fatin e tij, trokiti në derën e profesorit për t’i kërkuar këshillë për jetën.

Ky student quhej Max Planck, i përulur, i heshtur, por i mbushur me një etje të pashpjegueshme për të kuptuar rendin e universit. Ai ëndërronte t’ia kushtonte jetën fizikës. Donte vetëm një përgjigje të thjeshtë: A ia vlente? A kishte ende vend për të në një shkencë që dukej se e kishte thënë fjalën e saj?

Profesori i tij, Philipp von Jolly, matematikan i nderuar në Universitetin e Mynihut, e dëgjoi me durim. Pastaj, me një ton pothuajse të mbështjellë me melankoli shkencore, i dha një përgjigje që mund t’i kishte prerë krahët kujtdo: «Gjithçka është zbuluar tashmë, ose pothuajse. Kanë mbetur vetëm disa detaje për t’u sqaruar.»

Ishte bindja e një epoke të tërë.

Fizika konsiderohej një shtëpi e ndërtuar deri në majë, me muratorë të përjetshëm si Newton, Laplace, Faraday. Universi dukej si një orë e madhe, e shpjeguar deri në vidën e fundit.

Shkencës, mendohej, i mbetej vetëm të lëmonte qoshet.

Max Planck mund të kishte rënë në peshë. Mund të kishte mbyllur derën pa e hapur më kurrë.

Por ai buzëqeshi lehtë, ndoshta me një naivitet që vetëm gjeniu e njeh, dhe u përgjigj: «Nuk synoj të bëj zbulime të mëdha. Do të më mjaftojë të thelloj bazat tashmë të vendosura.»

Në atë çast nuk dinte, as profesori, as Planck vetë, se ai do të ishte pikërisht njeriu që do t’i shembte ato baza, gur më gur.

Në vitin 1900, përballë një problemi që fizika klasike nuk e zgjidhte dot, Max Planck guxoi të bënte atë që nuk e kishte synuar kurrë, një hap përtej kufijve.

Ai shpalli se energjiia nuk lëviz në mënyrë të vazhdueshme, siç besohej prej shekujsh, por në paketa të vogla, të padukshme e të pandashme: kuanta.

Një ide e vogël në letër, një tërmet në fizikë.

Ishte lindja e fizikës kuantike, porta nga e cila do të hynin Einstein, Bohr, Heisenberg, Dirac, të gjithë ata që do të rishkruanin universin, jo më si orë mekanike, por si mister probabiliteti, dritë-valë, grimca që sfidojnë logjikën, realitet që lëkundet në kufijtë e vëzhgimit.

Ajo që për profesorin ishin vetëm “disa detaje të mbetura”, u dëshmua të ishte harta e një bote krejt të re.

Mësimi është i qartë, dhe prapë i pamatshëm: Kur të thonë se gjithçka është zbuluar, pikërisht aty fillon udhëtimi i vërtetë.

Sepse kufijtë nuk janë fundi i rrugës, por dritarja nga e cila shohim pafundësinë.

Planck nuk ndryshoi vetëm fizikën.

Ai ndryshoi mënyrën se si mendojmë për dijen, për kureshtjen, për guximin intelektual.

Ai na mësoi se shkenca nuk matet me atë që dimë, por me pyetjet që s’kemi frikë t’i bëjmë.

Kufijtë, në të vërtetë, nuk janë mure, janë pragje për t’u kaluar.

Përgatiti: Albert Vataj