2 nëntori ditë zie/ Lulzim Basha i bashkohet homazheve në nderim të Fatos Nanos

Në Pallatin e Kongreseve po zhvillohen homazhe në nderim të ish-kryeministrit dhe ish-liderit të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Qytetarë të shumtë, përfaqësues të lartë të PS-së dhe figura të opozitës janë mbledhur për të nderuar jetën dhe kontributin e tij në politikën shqiptare.

Nga opozita, në ceremoni marrin pjesë kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kreu i PAA, Agron Duka, deputeti i PD-së Arjan Ndoja dhe ish-kryedemokrati Lulzim Basha.

Në ngjarje janë të pranishëm edhe familjarët e Nanos, përfshirë bashkëshorten Xhoana Nano, djalin Sokoli dhe ish-bashkëshorten Rexhina. Homazhet publike nisën që në orën 8:30 të mëngjesit, ndërsa nga ora 11:15 deri në 11:45 do të zhvillohen homazhet e personaliteteve shtetërore dhe trupit diplomatik.

Një pjesëtar i familjes do të mbajë fjalim, ndërsa fjalim do të mbajë edhe kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, në ceremoninë e sotme marrin pjesë edhe përfaqësues politikë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përfshirë Albin Kurtin dhe Ali Ahmetin.

Për të nderuar figurën e tij dhe kontributin në jetën publike, 2 nëntori është shpallur ditë zie kombëtare. Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë shtizë, dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje.

Fatos Nano udhëhoqi Partinë Socialiste për 14 vjet dhe shërbeu disa herë si kryeministër, duke lënë një trashëgimi të rëndësishme në historinë politike të Shqipërisë.