Homazhe për Fatos Nano/ Pjesëmarrës dhe nga opozita nderojnë figurën e tij historike

Në Pallatin e Kongreseve po mbahen homazhet në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Në homazhe, veç eksponentëve të lartë të Partisë Socialiste dhe qytetarëve të shumtë, kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të opozitës.

Në homazhe kanë qenë të pranishëm kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kreu i PAA, Agron Duka, si dhe deputetët e PD-së, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj dhe Arjan Ndoja.

Po ashtu bëhet me dije se të pranishëm janë familjarë të Fatos Nanos, mes tyre bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, djali Sokoli dhe ish-bashkëshortja Rexhina. Homazhet publike kanë nisur që prej orës 8:30 të mëngjesit të sotëm. Më pas nga ora 11:15-11:45 do të zhvillohen homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të trupit diplomatik.

Një pjesëtar i familjes së Nanos do të mbajë një fjalim. Gjithashtu fjalim mësohet se do të mbajë edhe kryeministri Edi Rama.

Në ceremoni morën pjesë edhe personalitete politike nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, mes tyre Albin Kurti dhe Ali Ahmeti.

Në respekt për kontributin e tij në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare.

Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje.