FOTO/ Ambulanca e lëvizshme e mamografisë në burgun e Pojskës për depistimin e grave
Një ambulancë e lëvizshme mamografie mbërriti sot në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Pojskë, për të kryer ekzaminime të grave të dënuara dhe punonjëseve të administratës, në kuadër të fushatës së depistimit të kancerit të gjirit.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose, vizituan sot këtë institucion.

Qose theksoi se IEVP Pojskë është ndër institucionet më delikate, pasi aty vuajnë dënimin shumë gra dhe të tjera janë të paraburgosura. “Lëvizja juaj me këtë automjet për kryerjen e mamografisë në mënyrë të shpejtë është një ndihmë e madhe për to”, u shpreh ai.
Tomini nënvizoi rëndësinë e depistimit të hershëm të kancerit të gjirit, duke e quajtur atë një “sëmundje të heshtur” që kërkon ndërgjegjësim të përhershëm.
“Interesi juaj për këtë nismë, jo vetëm në muajin tetor, por gjatë gjithë vitit, ka shumë vlerë. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik do të vijojnë të jenë në dispozicion për çdo grua që ende nuk e ka kryer mamografinë”, tha ajo.
Një prej grave që iu nënshtrua ekzaminimit vlerësoi mundësinë e krijuar për të kryer kontrollin në kohë.
“Shpëtohet një jetë”, u shpreh ajo, ndërsa Tomini e inkurajoi të kujdeset për shëndetin, duke theksuar se “pavarësisht kushteve të qëndrimit, shëndeti duhet të jetë gjithmonë prioritet”

Në përfundim të vizitës, Qose vlerësoi rolin e grave në shoqëri dhe punë, duke theksuar se risocializimi dhe rehabilitimi i tyre mbetet një përparësi për institucionet e burgjeve.
