Studimi: Futja e kikirikut në ushqimin e foshnjave ul alergjitë tek fëmijë
Një dekadë pas studimit që ndryshoi qasjen mjekësore për alergjitë, shkencëtarët njoftojnë se rreth 60 000 fëmijë kanë shmangur alergjinë nga kikirikët falë futjes së hershme të këtij ushqimi në dietën e foshnjave,sipas AP.
Udhëzimet e publikuara në vitin 2015, të cilat rekomanduan prezantimin e kikirikut që nga mosha 4 muajsh, kanë sjellë një ulje të ndjeshme të rasteve të reja.
Studimi i ri, i udhëhequr nga Dr. David Hill në Spitalin e Fëmijëve në Philadelphia dhe botuar në “Pediatrics”, analizoi mijëra të dhëna mjeksore dhe arriti në përfundimin se alergjitë ndaj kikirikut tek fëmijët 0–3 vjeç ranë me mbi 27% pas vitit 2015 dhe më shumë se 40% pas vitit 2017, kur udhëzimet u zgjeruan.
“Sot ka realisht më pak fëmijë me alergji sesa do të kishim pa këtë qasje të re”, tha Hill.
Për vite me radhë, mjekët këshillonin shmangien e ushqimeve alergjike deri në moshën 3 vjeç, por studimi revolucionar “LEAP”, i kryer në 2015 nga profesori Gideon Lack, vërtetoi të kundërtën: futja e kikirikut në muajt e parë ul rrezikun e alergjisë me mbi 80%, ndërsa mbrojtja vazhdon në rreth 70% të fëmijëve deri në adoleshencë.
Megjithatë, zbatimi ka ecur ngadalë. Vetëm 29% e pediatërve dhe 65% e alergologëve në SHBA kanë ndjekur plotësisht udhëzimet e reja, për shkak të pasigurive fillestare dhe mungesës së informacionit praktik për prindërit.
Shkencëtarët theksojnë se kjo vonesë ka ulur përkohësisht ndikimin e pritshëm në nivel kombëtar.
Alergjia ndaj kikirikut ndodh kur sistemi imunitar e sheh gabimisht proteinën e kikirikut si rrezik, duke shkaktuar simptoma që variojnë nga skuqje e puçrra deri te anafilaksia, një gjendje potencialisht fatale.
Aktualisht, më shumë se 8% e fëmijëve amerikanë kanë alergji ushqimore, dhe mbi 2% janë alergjikë ndaj kikirikut.
Edhe pse studimi mbështetet në një pjesë të praktikave pediatrike dhe jo në të gjithë vendin, ekspertët e quajnë të dhënat “premtuese” dhe një provë të fortë se futja e hershme e alergjenëve funksionon në praktikë. Sipas Dr. Ruchi Gupta nga Universiteti Northwestern, rezultatet tregojnë se kjo strategji “po sjell ndryshim real dhe të matshëm”.

