EMRAT/ Pengmarrja e Devollit nga vëllai i deputetit "i vë flakën" Komisariatit të Korçës, shkarkohen në grup krerët e Drejtorisë Vendore
Policia e Shtetit njofton se: “Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa, për motive të dobëta, u mbajt për disa orë, si dhe ndaj tij u ushtrua dhunë fizike dhe u kanos për jetën, dhe pas një analize të kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.
Për sa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vendosur:
Shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti;
Pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda.

Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Vendor, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional dhe në përputhje me ligjin nga punonjësit e saj, duke marrë masa ndëshkimore bazuar në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në Rregulloren e Policisë”.
NGJARJA
Një ngjarje e rëndë e ndodhur gati 1 javë më parë në ambjentet e një magazine në pronësi të Altin Nallbatit që në Bilisht njihet me nofkën “Duçja”, është bërë shkak që policia kriminale të kryejë disa kontrolle në banesat e disa personave.
Aksioni është kryer mbrëmjen e djeshme në Bilisht, pasi protagonisti i dëmtuar i kësaj ngjarje të rëndë Ilir Topçiu nga fshati Braçanj ishte marë peng dhe rrahur në ambjentet e kësaj magazine.
Pengmarja dhe dhunimi është kryer ditën e hënë, por kallëzimi i Ilir Topçiut, është kryer në polici rreth 4 ditë me vonesë.
Veç dhunimit, burimet pranë policisë konfirmuan se Ilir Tupçiut, i është fikuar dhe cigarja në ballë me preteksin se Altin Nallbati, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku dyshonin se Topçiu ishte informator i policisë.
Ilir Topçiu, ndodhej në masën e “arrestit në shtëpi” për akuzën e “Drejtimit të mjetit në gjëndje të dehur”, kur tre personat e kanë marë nga fshati Braçanj dhe çuar në ambjentet e magazinës, ku e kanë dhunuar fizikisht.
Aktualisht Topçiu është urdhërua nga policia dhe prokuroria e Korçës, ti nënshtrohet një ekzaminimi mjeko-ligjor, për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve fizike.
Për këtë ngjarje të rëndë gjatë aksionit të djeshëm, policia zbatoi urdhërin e ndalimit të lëshuar nga prokuroria, për shoqërimin dhe ndalimin e Altin Nallbatit, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku.
Pritet që në ditët në vijim tre personat e arrestuar të dalin para gjykatës së Korçës për tu njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i prokurorisë.
Emri i Trajan Çelikut dhe Marsel Buçit, është bërë publik dhe në ngjarjen e sulmit me thika dhe sende të forta ndaj Guri Mazelliut, episod i ndodhur në fillim të muajit Tetor 2025.
Sherri ndodhi mesditën e së mërkurës, ku shtetasit Ylli Xhaçka, Trajan Çeliku dhe Marsel Buci ndoqën fillimisht me makinë 39-vjeçarin Guri Mazelliu, të cilin e dhunuan, si dhe i dëmtuan automjetin me sende të forta.
39-vjeçari Mazelliu është kundërpërgjigjur ndaj tyre, ku plagosi me thikë Trajan Çelikun dhe më pas u largua nga vendngjarja me makinë.


