Keni një problem me nervat dhe muskujt: Çfarë është dhe kur bëhet testi TNT?
A lodhen shpejt muskujt tuaj edhe gjatë aktiviteteve të zakonshme apo ndieni se lodhja shtohet me kalimin e ditës? Kjo mund të mos jetë thjesht lodhje e zakonshme, por një shenjë e një problemi më serioz në sistemin neuromuskular, raporton Stetoskop.info.
Sipas specialistëve, kur muskujt dobësohen pa arsye të dukshme dhe kjo ndodh në mënyrë të përsëritur, mund të bëhet fjalë për një çrregullim në kryqëzimin neuromuskular – zonën ku sinjali nervor transmetohet nga nervi në muskul.
Për të diagnostikuar këtë gjendje, neurologët përdorin testin e transmetimit neuromuskular (TNT), i njohur edhe si testi i stimulimit përsëritës (TRS).
Ky test rekomandohet në rastet kur pacienti ka qepallë të varura, shikon imazhe të dyfishta, flet me zë hundor, ka vështirësi në gëlltitje apo ndien dobësi në krahë dhe këmbë që përkeqësohet gjatë ditës. Dobësia e tillë shpesh lidhet me sëmundje si Miastenia Gravis ose, në raste më të rralla, me sindromën Eaton-Lambert apo botulizmin.
Gjatë testit, mjeku aplikon stimulim elektrik të përsëritur në zona të caktuara të trupit, zakonisht në fytyrë ose në duar, për të parë reagimin e muskujve ndaj impulseve nervore. Edhe pse mund të ndjehet si një ndjesi e pakëndshme, procedura është e shpejtë dhe plotësisht e sigurt.
Pas përfundimit të testit, pacienti merr menjëherë rezultatin dhe udhëzimet për hapat e mëtejshëm diagnostikues apo terapeutikë.
Për një test të suksesshëm, mjekët këshillojnë që lëkura të jetë e pastër, pa kremra apo locione, pacienti të hajë e pijë normalisht dhe të mos marrë ilaçë në ditën e ekzaminimit. Testi gjithashtu nuk rekomandohet menjëherë pas përdorimit të prostigminës.

